FIFA ka publikuar të dhënat e deritanishme në lidhje me kërkesat e bërë për pjesëmarrje në botërorin rus.

Sipas asaj që thotë organizimi kryesor i futbollit botëror, deri më tani janë 8.4 milionë kërkesa për të hyrë në stadiume.

Pjesa më e madhe e kërkesave janë nga Rusia, më pas ka nga vende të tjera europiane, si Gjermania, Franca, Anglia e me radhë.

Por, surpriza është Islanda. Ishullorët që pasi habitën të gjithë me paraqitjen e bërë në europianin francez të 2016, vijuan surprizën kur u kualifikuan për herë të parë edhe në botëror.

E për t’i shpërblyer idhujt e tyre me përkrahje sa më të zjarrtë, islandezëve të vegjël si popullsi do t’u dëgjohet me siguri zëri në stadiumet ruse.

Deri më tani, sipas FIFA-s, nga Islanda ka marrë pak më shumë se 55 mijë kërkesa për bileta dhe të mendosh që Islanda ka një popullsi në total prej 330 mijë banorësh, kjo i bie 17 për qind e popullsisë së ishullit.

Kjo e rendit Islandën në vendin e parë sa i takon kërkesave për bileta duke patur parasysh raportin me popullsinë.

Top Channel