Drogë e armë në banesën e viktimës. Policia kërkon Domart Konjarin për vrasjen e Devi Kasmit

30/01/2018 10:05
Viktima Devi Kasmi

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një person në lidhje me ekzekutimin e 41-vjeçarit, Devi Kasmi. Kasmi u ekzekutua pasditen e së hënës në rrugën “Kongresi i Manastirit” me katër plumba.

Dy persona, që lëviznin me motor kanë qëlluar me pistoletë. Sipas policisë ata kanë qëlluar pesë herë, në kokë dhe në trup, duke u siguruar për ekzekutimin e shënjestrës së tyre. Në informacionin e saj zyrtar, policia njoftoi se mori telefonatë në orën 18 e 44 minuta për të shtëna me armë zjarri.

Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim shtetasin Domart Konjari. Në njoftimin e policisë nuk saktësohet nëse Konjari është ekzekutori, por dyshohet se ai është i përfshirë në vrasjen mafioze, si  porositësi i saj.

Por kush është Domart Konjari? Për më shumë se katër muaj, Policia e Shtetit dhe Interpol Tirana mbajtën peng procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit si trafikant droge, nën gjykim tek Krimet e Rënda, por që gjatë kërkimeve nuk iu gjet asnjë gjurmë se ku fshihej.

Pesë seanca gjyqësore u zvarritën njëra pas tjetrës gjatë fundvitit 2017, me përgjigjjen negative të autoriteteve se Domart Konjari nuk gjendej.

I vetmi që ulet ngjitur kafazit bosh është avokati i tij, që e mbron ndaj akuzave, më e lehta ajo e tentativës për të korruptuar një polic kufitar, më e rënda ajo e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Pavarësisht se në Francë kërkohej si një i dënuar me 10 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge dhe organizatë kriminale, i vetmi moment kur policia shqiptare ra në gjurmët e tij ishte në një pikë kufitare me Greqinë, kur 45-vjeçari kaloi me identitet të rreme.

I prezantuar si Arben Lazri, ajo që e tradhtoi ishte tentativa e tij për të paguar me 50 euro një efektiv policie. Ajo që ndodhi më pas është historia e zakonshme gjyqësore në Shqipëri.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e liroi duke i dhënë masën detyrim paraqitje. Që prej 2016, Domart Konjari vijon të jetë në kërkim.

Pas kësaj pati reagime të forta edhe nga ambasadori i Francës, që akuzoi se po sabotohej puna e autoriteteve franceze, ndërsa ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi falje në emër të gjykatave shqiptare.

Ndërkohë, policia thotë se gjatë hetimeve paraprake për zbardhjen e ngjarjes, në banesën e 41-vjeçarit Devi Kasmit ka gjetur dhe sekuestruar 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.

Grupi hetimor i kësaj çështjeje ka marrë të dhënat e para për viktimën, i cili ishte një person, që edhe pse nuk kishte precedentë penalë hetohej për trafiqe të jashtëligjshme.

Kasmi ishte kthyer së fundmi nga vendet e Bashkimit Europian, ku dyshohet se ishte i përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës. Edhe pista kryesore në të cilën po heton policia ka të bëjë me një krim tjetër të mundshme të kryer jashtë kufijve shqiptarë.

Top Channel