Udhëheqësi i Nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviç ndërroi jetë pas një atentati me armë zjarri orët e para të mëngjesit.

Autorët e sulmit nuk i lanë rrugë shpëtimi: kreu i serbëve të Kosovës u qëllua me 4 plumba në gjoks, ndërsa hynte në zyrën e partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Mediet kosovare thonë se, 64-vjeçari vdiq në spital ku ishte dërguar me urgjencë, ndërsa sipas atyre serbe, ai ka dhënë shpirt në vend e mjekët në spital kanë bërë ç’është e mundur për ta rikthyer në jetë, por pa sukses.

Ka raporte që tregojnë se makina e personave që shtinë mbi të është gjetur më vonë e djegur në Zveçan. Informacionet mbi sulmin nuk janë ende të plota, megjithatë, nga sa pohoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Veriun, Besim Hoti, forcat policore janë angazhuar maksimalisht për gjetjen e agresorëve.

Ivanoviç, njohës i mirë i gjuhës shqipe, i diplomuar i Fakultetit të Inxhinjerisë Mekanike në Mitrovicë e më pas atij të Ekonomisë në Prishtinë, karrierën politike e nisi pikërisht gjatë luftës së Kosovës, kur u caktua president i Këshillit Kombëtar Serb për Veriun e Kosovës dhe Metohinë.

Ai do të shndërrohej pas konfliktit në udhëheqësin kryesor të serbëve të Kosovës, duke sjellë një frymë të re në politikën serbe atje, që i entuziazmoi fillimisht ndërkombëtarët, për t’u shembur pastaj përdhe kur dolën në dritë akuzat për pjesëmarrje në masakrat kundër shqiptarëve.

Aktualisht ishte duke u përballur me procesin gjyqësor për krime lufte, nën akuzën se kishte urdhëruar vrasjen e shqiptarëve në Mitrovicën e vitit 1999. Kjo aktpadi, të cilin e mohonte me pretendimin se ishte i pabazë dhe i mbështetur tek aktiviteti i tij në favor të pranisë serbe në Kosovë, e la dy vite prapa hekurave përpara se të lirohej në muajin prill e ta priste në gjendje të lirë rezultatin e gjyqit.

Në muajin korrik, makinës së Ivanoviçit i ishte vënë zjarri. Ai vet ishte shprehur atëherë se nuk ishte përfshirë në biznese të paligjshme e nuk kishte armiq, vetëm kundërshtarë politikë. Ivanoviç pati akuzuar ashpër Beogradin për mbështetjen e “Listës Serbe” në zgjedhjet e 22 tetorit të vitit të kaluar në Kosovë, e tha atëherë se ka ardhur koha kur “serbët po frikësohen nga serbët, e jo nga shqiptarët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA