Gratë e periferisë, vështirësitë e ditës dhe zakonet që nuk janë shkulur

13/01/2018 15:14

Vetem një orë larg kryeqytetit, në periferi të Tiranës, jeta e grave është tejet e vështirë.

Pavarësisht se është 56 vjeç, Xhija tregon se kështu ka punuar gjithmonë, si tek familja e saj ashtu edhe tek burri.

“Për femrat janë të gjitha, se burrat nuk mund të lajnë , s’mund të fshijnë. Edhe enët do t’i lash,edhe gjellën do ta gatuash, burri s’mund të gatuaj. Plaku i do aty gati”, rrëfen Xhije Qoku, banore e fshatit Selb.

Në fshatrat Selb dhe Darshen të malit të Dajtit, ujë mungon, ndaj gratë përveçse duhet të gatuajnë , të bëjnë punët e shtëpisë, të dalin me bagëtitë dhe të punojnë tokën,duhet edhe të mbushin ujë, rreth një orë larg .

Zyraja ka ardhur nga Burreli nuse në fshatin Darshen, duke menduar se do të kishte një jetë më të mirë, pa ditur se do të bëhej vetë burre e vetë grua, për të mbajtur familjen.

“Shkoj me lopë, çel lopët, laj shpëlaj rrobat, bëj gjellën kalamajve. Burri se ka qejf fort punët e shtëpisë, burri po sqesh unë në shtëpi, nuk ha bukë për vete”, tha Zyra Ahmeti, banore e fshatit Darshen.

Varfëria dhe mentaliteti, bëjnë që këto gra të cilat jetojnë në këto zonat periferike të vazhdojnë të jenë në kushte shumë të vështira.

Lumturia, e ndjen veten më me fat se grate e tjera të fshatit, për shkak edhe të problemeve shëndetësore, ajo ka arritur të bëj një kompromis me bashkëshortin.

“Punët e shtëpisë gjithmonë. Edhe në Shkallë tek baba im,bukë e ujë , këto dua të lame, e të shplame. Djemtë janë, por s’më dha zoti një vajzë”, thotë Lumturi Hyka, banore e fshatit Selb.

Për ato familje që kanë djem në moshë martese, ardhja e një nuseje të re duket si një shpëtim, për të përgjysmuar punët.

 

Top Channel