Deulofeu rikthehet në Milano…për fanellën e Interit

24/12/2017 14:29

Gerard Deulofeu mund të rikthehet në Milano në muajin janar, por duke veshur fanellën e Interit.

Sipas medies spanjolle, zikaltrit kanë arritur një akord me Barcelonën për 23-vjeçarin, për një shumë prej 30 milionë eurosh, duke shtuar klauzolën “anti-Real Madrid” për futbollistin, që mund të ketë të bëjë edhe me Icardin, të cilin klubi katalanas dëshiron ta mbajë larg shënjestrës së Florentino Perez.

Është pikërisht “El Gol Digital”, ai që flet për mundësinë e transferimit të Deulofeut tek Interi. Sipas këtij portali, Barcelona ka shfaqur gatishmërinë për të pranuar kërkesën e drejtuesit të klubit milanez dhe të vet sulmuesit, por në shkëmbim të një akordi në dëm të “Los Blancos”, që e ndalon Deulofeun të kalojë te Reali i Madridit, gjë që do të vlejë edhe për Mauro Icardin, e vënë prej kohësh nën shënjestrën e kampionëve të Spanjës.

Deulofeu ishte një prej surprizave të Serie A sezonin e kaluar, e mund të jetë përforcimi i duhur për trajnerin Spalletti, për sa i përket repartit të sulmit. Ish-futbollisti i Evertonit ka treguar se mund të luajë si në krahun e majtë, ashtu dhe në atë të djathtë, për të krijuar superioritet numerik.

Pikërisht një futbollist i tillë i duhet edhe Interit. Në këtë sezon, Deulofeu ka luajtur 16 ndeshje me Barcelonën, në të gjitha kompeticionet, me dy gola të shënuar dhe 3 asiste të dhëna.

Top Channel