Instituti i Statistikave raportoi se papunësia në Shqipëri u ul sërish në tremujorin e tretë të vitit duke zbritur në 13.6 për qind nga 14.7 për qind që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT, ky është tremujori i 7-të me radhë që papunësia shënon rënie, duke zbritur nga 17.3 për qind që ishte në fund të 2015-ës në 13.6 për qind në shtator të këtij viti.

Të dhënat e detajuara tregojnë se rimëkëmbja e tregut të punës pas krizës së viteve 2012-2015 ka ardhur nga punësimet e biznesit privat jashtë fushës së bujqësisë.

Sipas INSTAT, vetëm në 9 muajt e parë të këtij viti, biznesi ka krijuar rreth 60 mijë vende të reja pune, sipas listëpagesave të dorëzuara tek Tatimet për punonjësit që paguajnë kontriburte.

Në sektorin shtetëror, numri i të punësuarve është thuajse në të njëjtat nivele të një viti më parë, ndërsa në bujqësi punësimi ka shënuar një rënie të lehtë.

Prej tre vitesh thuajse e gjithë rritja e punësimit në ekonomi ka ardhur nga biznesi privat, ndonëse mbetet e paqartë paqartë se cpjesë e kësaj rritje vjen nga vendet e punës të krijuara rishtaz dhe çpjesë i përket formalizimit të punonjësve që më parë kanë qenë në të zezë nga aksioni kundër informalitetit.

Top Channel