Arbitri i dhunuar: Policët nuk më ndihmuan

11/12/2017 20:57

Ngjarja e rëndë në ndeshjen e Kategorisë së Dytë mes Përmetit dhe Këlcyrës, ku u godit gjyqtari kryesor Alvi Paço, ka rikthyer edhe një herë pamjet e rënda në futbollin shqiptar.

Një penallti e dhënë 8 minuta nga fundi për vendasit ka acaruar skuadrën mike, e cila ka goditur barbarisht gjyqtarin kryesor. Një ditë pas kësaj ngjarjeje të turpshme, gjyqtari Alvi Paço, në një rrëfim për Top Channel, tregon se ka qenë krejtësisht i vetëm në një situatë të pazakontë dhe se policia ka qenë inekzistente.

“Unë u shmanga nga futbollistët kur erdhën për të më goditur. Kam vrapuar rreth 500 metra dhe u afrova pranë policëve, por nuk më erdhi askush në ndihmë. U godit edhe anësori Albano Konomi. Policët rrinin e shikonin. U afruan pranë meje vetëm dy policë, por nuk më ndihmuan”, tregon arbitri i dhunuar.

Megjithatë, disa orë pas ngjarjes policia ka reaguar duke arrestuar 3 futbollistë të skuadrës së Këlcyrës: Entilion Kamberaj, Andi Huma dhe Meleq Xhakollari, persona të cilët kanë goditur gjyqtarët e ndeshjes.

Por, për këto arrestime kanë reaguar tifozët e Këlcyrës duke protestuar.
Kjo situatë e rëndë e ka çuar drejt konfuzionit gjyqtarin Paço përsa i përket të ardhmes, nisur edhe nga kërkesa e familjes për të hequr dorë nga arbitrimi.

“Ishin shumë të mërzitur dhe më thanë që ta lija arbitrimin, por unë këtë zanat kam dhe ky është pasioni im. Për momentin, nuk e di se çfarë do të bëj”, thotë Paço.

Top Channel