Draxler, Liverpool kontakton me PSG për huazimin në janar

23/11/2017 14:18

Ylli gjerman i Paris SG, Julian Draxler është kthyer në një objektiv për merkaton e janarit të Liverpoolit, teksa ka humbur konkurrencën për një vend titullari në ekipin e kryeqytetit francez.

Sipas të përditshmes franceze “L’Equipe”, Liverpool madje ka pasur edhe kontaktet e para zyrtare me klubin parizien, me synimin për ta huazuar lojtarin.

Mesfushori 24-vjeçar iu bashkua Parisit në janar të këtij viti, por ka hasur vështirësi të sigurojë një vend titullari në repartin e avancuar të kryeqytetasve nga Ligue 1, pas ardhjes së Neymar dhe Kylian Mbappe.

Klubi nga “Anfield Road” është interesuar edhe më parë për mesfushorin gjerman, para se të kalonte nga Bundesliga në Ligue 1, por Jurgen Klopp siç raportojnë mediet ruan ende të palëkundur interesimin e tij për futbollistin në fjalë.

Gjithsesi, besohet se Draxler e ka të vështirë të heqë dorë nga “ëndrra” pariziene, gjë që nënkupton se Liverpooli do ta ketë të vështirë arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. Nëse ai do të mendojë seriozisht për largimin nga Parisi, Klopp do të ketë përballë edhe konkurrencën e ekipeve të tjera të Premier League, përfshi edhe Arsenalin që e admiron prej kohësh.

Top Channel