Portierja Solo akuzon Blatterin për ngacmim seksual

11/11/2017 11:28

Skandali i ngacmimeve seksuale kalon edhe në botën e futbollit.

Hope Solo, ish portierja e kombëtares së SHBA-së kampione Bote, në vitin 2015 dhe kampione olimpike në 2008-ën e 2012-ën, ka ngritur akuza ndaj ish presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, se e ka ngacmuar seksualisht gjatë ceremonisë së dorëzimit të Topit të Artë në vitin 2013, përpara se ajo të ngjitej në skenë.

Një përfaqësues i futbollistes, e konfirmoi këtë në një intervistën në revistë portugeze, duke thënë se Hope Solo nuk ka asnjë koment tjetër për të shtuar.

Ndërkohë reagimi ka ardhur edhe nga vetë Blatter, që nëpërmjet zëdhënësit të tij iu drejtua të përditshmes ‘The Guardian’, për të hedhur poshtë akuzat e Solos, duke i cilësuar ato si qesharake.

Karriera e Hope Solo me përfaqësuesen amerikane të futbollit u ndërpre në Lojërat Olimpike të Rio De Janeiros, kur SHBA u eliminua nga Suedia dhe portierja nuk ngurroi të përkufizojë futbollistet suedeze si frikacake, për shkak të aplikimit të lojës mbrojtëse, një deklaratë që i kushtoi shtrenjtë asaj, pasi u përjashtua nga skuadra përfaqësuese tek e cila ajo nuk dëshiroi të kthehej më.

Top Channel