Fjala e djeshme e Kryeministrit Edi Rama në samitin për lirinë e shprehjes hasi në shumë komente nga gazetarë vendas dhe të huaj. Një gazetar malazez e quajti atë të ngjashëm me ato të Donald Trump.

Edhe Top Channel tregoi dje se si e lexoi fjalimin e Kryeministrit dhe sjelljen e tij të mëparshme me gazetarët. Ndër të tjera ne thamë se ndryshe nga herët e mëparshme ERTV nuk ishte kanali ekskluziv i transmetimit, por kishte edhe kamera të tjera. Më vonë kryeministri reagoi në këtë mënyrë:

Statusi i Ramës:

“HAHNI DHE KAZANI
Ky është titulli i lajmit të Top Channel që mund ta shihni bashkëlidhur. Në lajm, siç do ta lexoni, thuhet se kryeministri e cilësoi median si të pabesueshme. Po, e vërtetë, kështu mendoj! Por si për ta vërtetuar me dëshminë e vet se sa të pabesueshme janë mediat, Top Channel, siç e shihni, e informon publikun se konferenca për lirinë e medias dhe konferenca për shtyp me Komisionerin nuk u transmetuan në ERTV! Ju të gjithë tani mund ta shikoni vetë provën e kësaj gënjeshtre me bisht, nëse zbrisni në postimin e dytë e të tretë të ditës dhe klikoni videon e dhënë live nga ERTV. Tani pyetja që vjen vetiu është: Nëse një televizion kombëtar që ka bërë histori falë gjenialitetit të të ndjerit Dritan Hoxha, është katandisur sot të gënjejë kaq hapur, edhe për një fakt kaq të thjeshtë, si mund të quhet e besueshme media në Shqipëri?”

Në fakt nuk është hera e parë që një Kryeministër merret me Top Channel. Deri diku është edhe normale në punën tonë përballja me qeveritë. Por është hera e parë që një kryeministër tenton të reduktojë në përplasje lapsusesh sintaksore shigjetimin e televizionit më të besueshëm në vend, sidomos kur në atë ditë, ashtu si shumë kolegë të tjerë sigurisht, Top Channel do të vihet përkrah gazetarëve dhe jo qeverisë, siç edhe u vumë kur Kryeministri pak javë më parë sulmoi dhunshëm verbalisht reporterët e kuvendit.

Top Channel nuk është një portal. Është televizioni me i besueshëm në vend. Është televizioni që transmetoi me zë dhe me figure çfarë ndodhi në Gërdec, çfarë ndodhte në qeverinë Berisha, çfarë ndodhi në 21 janar, apo si ndryshoi rezultati i tetë majit për Tiranën, siç ishte Top Channel që hetoi si paguheshin votuesit të vinin e të votonit në zgjedhjet lokale të 2015, apo siç ishim të parët që sollëm në Shqipëri dosjen hetimore të Katanias për klanin Habilaj.

…sepse lajmi më parë kalon nga ne, Dje, Sot dhe Nesër. Sa për besueshmërinë e Topit, Dje, Sot dhe Nesër, e lëmë më mirë të gjykojnë shqiptarët.

Top Channel