Hetim antimafia pasurisë së Tahirit, Prokuroria verifikon edhe familjarët

09/11/2017 15:11

Duke iu referuar ligjit antimafia, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi edhe hetimin pasuror për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tahiri dyshohet nga organi i akuzës për korrupsion dhe çështje trafiku.

Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme shpjegojnë për Top Channel se përveç grushtit të prokurorëve që hetojnë Habilajt, një grup tjetër prokurorësh nga njësia antikorrupsion regjistruan hetimin me numër 134.

Ata kanë përcjellë shkresa për verifikim llogarish bankare dhe të aseteve jo vetëm për Tahirin, por edhe për personat e bashkëlidhur me të, sikurse janë njerëzit më të afërt të tij, që nga bashkëshortja dhe prindërit, deri tek lidhjet e krushqisë.

Burimet shpjeguan për Top Channel se u kërkohet të gjitha bankave nëse ka apo jo llogari bankare Tahiri. E njëjta gjë kërkohet nga hipotekat, dogana, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Në fakt hetimi pasuror ka nisur për të gjithë emrat që përmenden në dosjen “Habilaj” dhe jo vetëm. Asetet pasurore po hetohen edhe për 25-vjeçarin Orest Sota, i arrestuar pak ditë më parë në Elbasan pasi nuk i ndaloi policisë në një kohë që në automjet iu sekuestruan 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të Tahirit.

Dosja e Sotës i është bashkëngjitur çështjes Habilaj, por prokurorët po kërkojnë informacione jo vetëm për burimin e kësaj shume, e cila justifikohet nga Lefter Sota se janë fitimet në vite nga bizneset e tij.

Në hetimin pasuror për familjen Sota prokurorët kanë kërkuar të gjithë tenderat e fituar nga shoqëritë e familjes, si edhe transaksionet bankare me Kurum, duke qenë se Orest Sota pretendon që këtë shumë do ta dorëzonte si garanci për blerje hekuri.

Top Channel