“Rama 2” betohet në Presidencë. Shtrëngim duarsh Rama-Meta

13/09/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij kanë bërë pasditen e së mërkurës betimin në Presidencë.

Në ceremoninë e zhvilluar, në praninë e presidentit Ilir Meta, kreu i qeverisë dhe ministrat janë betuar se do të zbatojnë Kushtetutën në interes të qytetarëve dhe vendit.

Në momentin e betimit, mes kryeministrit dhe kreut të shtetit ka patur edhe një shtrëngim duarsh. Duke marrë fjalën në këtë event, Meta ka shprehur urimin që qeveria e re të jetë në lartësinë e detyrave që e presin.

“Dëshiroj që në këtë moment të rëndësishëm të ndaj me ju urimin më të sinqertë për suksese dhe rezultate sa më pozitive në qeverisjen e vendit. Qytetarët presin përpjekje më të mëdha për të përballur sfidat që kemi përballë”, ka deklaruar Meta.

Në cilësinë e presidentit, Meta ka kërkuar përshpejtimin e zbatimit të reformës në drejtësi, ndërkohë që theksin e ka vendosur edhe tek integrimi europian.

“Anëtarësimi në BE është një aspiratë kombëtare, ndaj besoj se mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojë ngushtë për çeljen e negociatave sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Meta.

Ndër të tjera, kreu i shtetit ka vënë në dukje se, qeveria duhet t’i përgjigjet kërcënimeve që vijnë nga terrorizmi dhe krimi i organizuar, ndërsa ka shtuar se një rëndësi të vecantë sa i takon sigurisë së vendit dhe rajonit janë marrëdhëniet e mira me fqinjët.

Më pas një foto familjare në shkallët e Presidencës dhe kabineti qeveritar në dalje iu rikthye traditës së katër viteve më parë: një ecje në këmbë përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, deri në selinë e Këshillit të Ministrave.

Betimi në Presidencë erdhi 10 orë pasi në Kuvend qeveria Rama mori votëbesimin pas një seance maratonë, me 78 vota pro dhe 51 e kundër. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, votave të Partisë Socialiste ju bashkuan dhe ato të PDIU-së dhe deputetit tashmë social-demokrat, Tom Doshi.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel