Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës, Haxhinasto: Projekti përfundon në 2019

25/06/2016 00:00

Projekti i hekurudhës së re Tiranë-Durrës me zgjatim aeroportin e Rinasit do të kushtojë 82 milionë euro, 35 nga të cilat do të jepen në formë granti falas nga BERZH.

Projekti është shpallur fitues nga Bashkimi Europian në kuadër të mbështetjes për Ballkanin perëndimor.

“Studimi është përfunduar. Është një projekt i detajuar i këtij segmenti. Në Samitin e Parisit, më 4 korrik, besoj se do të bëhet zyrtarisht dhënia e grantit, 85 milionë euro dhe na mbetet ne të shohim mundësitë për pjesën tjetër, e cila do të gjendet ose nga buxheti i shtetit, ose nga mundësi të tjera”, deklaron Edmond Haxhinasto, ministër i Transporteve.

Zbatimi do të mbetet në vartësi të sigurimit të fondeve të tjera, por mendohet se brenda 2019-s do të ketë përfunduar si projekt. Ky i fundit parashikon një linjë krejtësisht të re në të gjithë komponentët dhe ristrukturim të kompanisë së hekurudhave.

“Do të jetë një rikonceptim i plotë duke filluar nga traseja, por edhe nga mjetet lëvizëse”, saktëson Haxhinasto.

BE ka rënë parimisht dakord edhe për projektin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit dhe për Durrës-Pogradec-Lin, deri në kufi me Maqedoninë, për të cilët janë dhënë dy grante për realizimin e studimit të fizibilitetit. Vetë ministria po harton një plan për rikthimin e linjave hekurudhore brenda portit të Durrësit.

Top Channel