Debati mes Apple dhe Byrosë Federale të investigimit ka ndryshuar arenë, nga dhoma e gjyqit në Kongres. Përplasja ka të bëjë me kërkesën e FBI për të krijuar një softuer që thyen enkriptimin e një iPhoni të përdorur nga një prej dy terroristëve që vrau 14 persona në San Bernardino të Kalifornisë, dhjetorin e shkuar.

Drejtori i FBI, James Comey, u shfaq para Kongresit duke u mbështetur tek një ligj shumë i vjetër, që daton në vitin 1789. Ai shfrytëzon këtë ligj për të detyruar Apple të hapë me detyrim portat.

“Ka një portë hyrjeje në atë iPhone. Ne i kërkojmë Apple të largojë qenin roje që andej; të na lejojë të hapim kyçin. Në telefonat më të rinj, iPhone 6 dhe ata që do të vijnë pas tij, nuk ka porta të tilla, ndaj ky do të jetë një rast i vetëm”, tha ai.

Enkriptimi i garanton përdoruesve të iPhonit një nivel të lartë privatësie dhe sigurie për të dhënat personale, por edhe e bën më të vështirë për autoritetet hetimin dhe parandalimin e sulmeve terroriste apo krimeve. Avokati i Apple ka argumentuar ndërkohë se kërkesa e FBI cënon privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve të çdo iPhoni.

“FBI i kërkoi një gjykate të na urdhërojë t’i japim diçka që nuk e kemi. Të krijojmë një sistem operativ që nuk ekziston. Populli amerikan meriton një dialog të ndershëm rreth çështjeve të rëndësishme që rrjedhin nga kërkesa e FBI. A duam ne të kufizojmë teknologjinë që mbron të dhënat tona, privatësinë dhe sigurinë tonë, përballë sulmeve gjithnjë e më të sofistikuar kibernetikë? A duhet lejuar FBI të ndalë Apple apo çdo kompani tjetër që t’i ofrojë amerikanëve produktin më të sigurt që mund të prodhojë? A duhet lejuar FBI të detyrojë një kompani të prodhojë një produkt që do t’i përmbahej specifikimeve ekzakte të FBI-së dhe do të ishte në përdorim të saj?”, tha avokati Bruce Sewell.

Drejtori i FBI-së pranoi ndërkohë se nëse fiton çështjen në gjykatë kjo do të përbënte një precedent ligjor që do ta detyronte Apple të thyente rregullisht sistemet e saj të enkriptimit.

Si Apple, ashtu edhe FBI, ishin dakord ndërkohë që Kongresi duhet të marrë në konsideratë tani krijimin e një ligji më modern, në mënyrë që të balancohet nevoja për privatësi dhe siguri në një botë ku telefonat inteligjentë mbajnë me vete shumë nga jeta e çdo njeriu.

Top Channel