Sulmi kibernetik në dëm të “Apple”, i ndodhur pak ditë më parë përmes aplikacioneve të infektuara, është ndërmarrë duke përdorur të njëjtin sistem të përdorur nga CIA në vitet e shkuara.

Në këtë përfundim ka mbërritur hulumtimi i “The Intercept”, një faqe investigative në fushën e teknologjisë kompjuterike dhe të informacionit.

Sipas kësaj faqeje, në sulm është përdorur një version i modifikuar i XCode, baza e ndërtimit të aplikacioneve. E njëjta teknikë, shkruan “The Intercept”, u prezantua nga CIA në vitin 2012 gjatë konferencës sekrete vjetore hi-tech.

Në sulmin ndaj “Apple” piratët kibernetikë kanë vendosur në shërbim të ndërtuesve të aplikacioneve një bazë të dhënash të ngjashme, të pagëzuar XCodeGhost. Ndërtuesit e aplikacioneve punonin mbi këtë bazë pa qenë në dijeni se krijesa e tyre ishte e infektuar dhe më pas e hidhnin atë në App Store.

Gjithnjë sipas të njëjtave burime, CIA prezantoi në 2012 këtë teknikë për të spiunuar pajisjet iPhone dhe iPad të “Apple” në konferencën “Trusted Computing Base Jamboree” dhe një gjë e tillë del edhe në dokumentat sekrete të publikuara nga Edward Snowden dhe Wikileaks.

Top Channel