Shkencëtarë të inteligjencës artificiale janë përqendruar në ndërtimin e një makinerie në gjendje që të komunikojë me njeriun, jo vetëm duke zbatuar komandat, por edhe duke dhënë këshilla e arsyetime të logjikshme.

Me pak fjalë në ndërtimin e një programi kompjuterik për të prerë biletat dhe rezervuar pushimet tona, për të na kujtuar vizitën tek dentisti, për të ofruar këshilla të vlefshme se në cilin restorant të hamë, me të cilin mund të flasësh për motin dhe në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve të befasishme, njësoj si një person bashkëbisedues i vëmendshëm.

Alan Turing është njëri prej shkencëtarëve kompjuterikë, ndër të parët që ka punuar me inteligjencën artificiale. Ai thotë se do të arrihet ndërtimi i një makinerie që mendon, atëherë kur bashkëbiseduesi i saj njeri nuk do ta kuptojë se nuk po flet me një tjetër njeri.

Deri atëherë ndoshta do të duhen disa vite të mira, por hapat e parë janë hedhur. Sot komunikojmë me makineritë në çdo moment, qoftë përmes Siri-t, Cortana-s apo Google Now.

“Biseda” me asistentët virtualë është e kufizuar dhe njerëzit kureshtarë shpesh u drejtojnë këtyre asistentëve pyetje për të cilat nuk mund të marrin përgjigje, por ndaj “ngacmimeve” të shpeshta të njeriut makineritë nuk do rrinin duarkryq dhe do reagonin.

Si shembull merret Siri. Nëse e pyet asistentin virtual të Apple se sa bëjnë zëro minus zero, përgjigjia që do marrësh është mëse e merituar.

“Imagjino sikur ke zero biskota dhe i ndan me zero miq. Sa biskota ka çdo person? E sheh?! Nuk ka asnjë kuptim. Nuk ka asnjë biskotë dhe ti nuk ke asnjë mik”, është përgjigjia e Siri-t.

Sigurisht, kjo është një “shaka” e parapërgatitur nga Apple, por kompanitë e teknologjisë po punojnë me ritme të përshpejtuara për të rritur pavarësinë e inteligjencës artificiale.

Një i tillë është premtimi i Facebook. Rrjeti social i Zuckerberg po punon prej pak kohësh për asistentin dixhital “M” dhe thotë se “M” do të mësojë prej njerëzve duke u bërë më i zgjuar me kalimin e kohës.

Megjithatë, kompania lider në këtë fushë mbetet Google. Gjiganti amerikan i teknologjisë po “ushqen” prej kohësh me të dhëna disa njësi kompjuterike në përpjekje për t’i bërë makineritë që të mësojnë sesi të zhvillojnë “natyrshëm” komunikimin mes tyre.

Top Channel