Historiku i Manastirit të Mesopotamit po pasurohet me fakte të reja, që dolën në dritë pas gërmimeve të kryera në pjesën e këmbanores.
Arkeologë, arkitektë dhe studentë të Arkitekturës zbuluan shtresa, që dëshmojnë për periudha të ndryshme të jetës në manastir, duke filluar nga ajo antike, Lidhja Epiriote, periudha mesjetare dhe ajo e Mesjetës së vonë.
Një portë qëndrore e hyrjes për në manastir u zbulua në nivelin e themeleve të këmbanores, çka hedh dritë mbi anë të rëndësishme funksionale të objektit. Porta në vetvete lidhet me një hyrje qëndrore të mbyllur në Mesjetë, në kishën e Shënkollit.
Arkeologët kanë gjetur monedha të periudhave të ndryshme, por edhe gurë helenë të shekujve IV-III para Erës soën, që dëshmon për praninë në këtë territor të një tempulli dhe, njëkohësisht, vërteton lidhjen me kryeqendrën e Epirit, Foinikën e vendosur 3 km më tej.
Njëri prej gurëve dekorativë mban mbishkrimin “Menelau”. Arktitekti Reshat Gega thotë se, shtresat e zbuluara tregojnë larminë dhe intensitetin e ndryshimeve në këtë vendndodhje arkeologjike.
“Duke filluar nga fundi i shekullit të XIII dhe fillimi i XIV-s, vëmë re që ka shtresa djegieje dhe kemi një aksident nga pikëpamja e gjithë arkitekturës në këtë manastir, e pastaj vijmë deri në shekullin e XVI për të gjetur që kemi bërje dhe ribërje të strukturave të mureve të manastirit”, tha Reshat Gega, restaurator.
Inventari i materialeve të gjetura në këtë pjesë të gërmimit dëshmon praninë e një stere uji të Mesjetës së hershme, që mesa dukej grumbullonte ujin e shiut gjatë periudhës së dimrit, dhe më pas gërmimet flasin për shndërrimin e këtij territori në një kullë vrojtimi me 4 kate, e më pas në këmbanore.
Manastiri i Mesopotamit, i ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandini i IX Monomaku, është një ndër veprat më të rralla të artit dhe arkitekturës bizantine në Ballkan.
Top Channel