Ndenjësja robotike për fëmijët në makinë përdor motor dhe sensorë për t’u montuar dhe siguruar vetë. Kjo shpikje do të ndihmonte në zgjidhjen e një problemi familjar për prindërit kudo në botë. Sigurisht, nëse punon.

“Më lejoni të theksoj; është një prototip”, thotë Lin Lin, menaxherja e kompanisë që ka krijuar ndenjësen robotike, “4moms”.

Ky është prototipi i nëntë për këtë kompani, – shkruan “Washington Post”. Ndenjësja për makinë, që hiqet dhe vihet lehtë, duhej të ishte në dyqane që prej vitit të kaluar. Por ajo u shty për vitin 2016.

Pajisja duhet të jetë e përsosur. Më shumë se 70% e ndenjësve të fëmijëve janë keqpërdorur, janë vendosur në pozicion të gabuar apo kanë pasur rripat e lirë, – citon gazeta burime nga të dhënat e sigurisë federale.

Madje, në SHBA ka edhe një rrjet të trajnimit të inspektorëve të vendosur pranë spitaleve, zjarrfikësve dhe policisë në të gjithë vendin. Mjafton t’ua kërkosh dhe ata të ndihmojnë të vendosni mirë ndenjësen. Ato janë të vështira për t’u përdorur.

Një ndjenjëse makine që i bën të gjitha vetë do të ndryshonte këtë. Prandaj “4moms” ka ndërmarrë një sfidë të vështirë. Kompania, e krijuar para dhjetë vitesh, është mjaft e njohur për produktet teknologjike që fokusohen tek nëna dhe fëmija. Karrocat për fëmijë, “Origami”, janë shumë të përhapura, dhe si ato u kemi parë edhe yjeve, si Jennifer Garner apo Natalie Portman.

“Origami” është një karrocë që vetëprodhon energji dhe është shumë e sigurtë. Përmban pajisje për temperaturën, orën etj.

Një ndjenjëse tipike për fëmijët është me dy pjesë. Ndenjësja dhe baza. Dhe është pikërisht baza që lidhet tek sedilja, dhe është pika e dobët. Është e vështirë për t’u siguruar. Një video mjaft popullore në YouTube është edhe “Si të instalosh një ndenjëse makine”.

“4moms” është fokusuar tek baza, duke kërkuar të reduktojë procesin e instalimit thjesht me shtypjen e një butoni. Baza e saj ka tre motorë, një procesor me fuqi të lartë dhe dhjetëra sensorë. Këto teknika përcaktojnë planvendosjen në avion apo makinë dhe zgjedhin tensionin e duhur. Ajo punon në çdo sedilje të pasme dhe në klimë të ndryshme. Për më tepër, roboti rikontrollon instalimin para çdo udhëtimi.

Disa funksione janë hequr. Kompania kishte menduar të shtonte një alarm që paralajmëron që fëmija është vetëm në makinë, por zbuloi se kjo ishte shumë e komplikuar dhe mund të jepte alarme false.

Top Channel