Artistët me etiketë muzikore do të paguhen edhe në periudhën e parë tre mujore të Apple Music, shërbimi streaming muzikor që pritet të jetë i disponueshëm që prej 30 qershorit.

Por për përdoruesit ky 3-mujor do të jetë falas. Lajmi konfirmohet nëpërmjet Twitter-it nga Eddy Cue, zv.president i Apple. Dhe Swift i përgjigjet po me postim në Twitter kompanisë, duke shprehur dhe kënaqësinë e saj: “Jemi marrë vesh!”

Marshi mbrapsht i Apple vjen pak orë pas një letre të hapur të publikuar online dhe në rrjetet sociale, në të cilën Taylor Swift ishte kritike për periudhën gratis të ofruar nga Apple Music, duke denoncuar mungesën e pagesës nga kompania e Cupertinos, për tekstshkruesit, producentët dhe artistët, duke u shprehur “e shokuar dhe e zhgënjyer”.

Vjeshtën e kaluar këngëtarja hoqi nga Spotify albumet e saj, mes platformave më të mëdha të “music streaming”. Vendimi erdhi pas polemikave për përdorimin e këngëve të saj në versionin falas, e mbështetur nga reklamat për përdoruesit.

Letra e Swift në pak orë ka bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, përveç rrjeteve sociale, dhe përgjigja e Apple nuk ka vonuar.

Top Channel