Kuba thotë se do të zgjerojë aksesin në internet, duke shtuar rrjetin wireless për dhjetëra qendra interneti shtetërore, dhe do të përgjysmojë koston që përdoruesit paguajnë për një orë online.

Lajmi është bërë i ditur në gazetën kubane “Juventud Rebelde”. Ky është liberalizimi i parë i internetit në Kubë, që kur Presidenti amerikan Obama tha në dhjetor se qeveria komuniste i deklaroi se do t’u jepte njerëzve më shumë akses, si pjesë e çtensionimit mes dy armiqve të Luftës së Ftohtë.

Zëdhënësi i qeverisë ka thënë për gazetën se, 35 qendra kompjuterësh të qeverisë në të gjithë vendin do të kenë wirless, duke nisur nga muaji i ardhshëm. Çmimi i një ore në internet do të shkojë në 2 dollarë, nga 4.5 dollarë që është aktualisht.

Edhe pse çmimi mbetet sërish i papërballueshëm për pjesën më të madhe të kubanezëve, ndryshimi është një përpjekje domethënëse që shumë njerëz të kenë akses.

Interneti në shtëpi vijon të mbetet ilegal për pjesën më të madhe të popullit të Kubës, dhe aksesi online në zyrat me internet është jashtëzakonisht i kufizuar dhe i kontrolluar. Deri tani, i vetmi rrjet wirless ka qenë në hotelet e turistëve, me një çmim që është sa një e katërta e pagës mujore të një kubanezi.

Top Channel