Sipas një studimi në Britani dhe Amerikë, rreth 80% e njerëzve kanë frikë nëse llogaritë e tyre online mund të bien pre e ndonjë sulmi dhe të dhënat e tyre mund të keqpërdoren.

Ekspertët kanë rënë dakord për pesë pika, ku secili prej nesh duhet të tregohet i kujdesshëm. Sipas tyre, nëse ndjekim këto pesë këshilla, atëherë nuk kemi pse shqetësohemi.

Përdor fjalëkalime të sigurta

Eskpertët thonë se njerëzit duhet të kenë kujdes kur vendosin për një fjalëkalim. “Fjalëkalimet e gjata janë më të vështira për t’u hakuar, se sa ato që kanë karaktere të ndryshme apo numra”, është shprehur Frank Gifford, pjesë e “IXIA”-s.

Mos shkarko skedarë nga njerëz të panjohur

Në e-mailin tuaj mund të vijnë çdo ditë skedarë për të shkarkuar, por ju duhet të keni kujdes se çfarë shkarkoni. Mos e bëni këtë veprim me persona që ju nuk i njihni. Gjithashtu, kujdes me linqet, mos klikoni në ato që ju dërgojnë persona të panjohur.

Mos këmbeni të dhënat personale me e-mail

Nëse dikush kërkon të dhënat tuaja personale përmes e-mailit, mos ia dërgoni. “Asnjë biznes serioz nuk do t’u kërkojë t’i nisni të dhënat tuaja me e-mail. Numrin e kartës tuaj, fjalëkalimet, ditëlindja dhe gjëra të ngjashme, nuk nisen me e-mail”, shprehet Ryan O’Leary, drejtor në “WhiteHat Security”.

Kujdes kur shkarkoni programe/aplikacione

Çdo ditë mund të shkarkojmë programe të ndryshme ose aplikacione në celular. Ju duhet të bëni kujdes se kujt i përkasin këto aplikacione. Ka shumë apliakcione që u përkasin kompanive të besueshme, dhe të tjera që janë krijuar nga të panjohur. Shmangini këto të dytat.

Mbani nën kontroll fëmijët

Nëse keni fëmijë në shtëpi, atëherë ata kanë nevojë që të edukohen në mënyrën e duhur. Ju duhet të bëni kujdes dhe të mos lejoni qasjen në çdo uebsajt. “Kufizojeni gjërat që mund të bëjë fëmija juaj online, edukojeni fëmijën tuaj në mënyrë që të jeni të sigurt, qoftë edhe duke u treguar çfarë nuk duhet të shpërndajnë në internet”, është shprehur Chase Cunningham nga “FireHost”.

Top Channel