Qeveria britanike i dha dritën jeshile hartimit të një projekti për ndërtimin e hidrocentralit të parë nënujor, turbinat e të cilit do të prodhojnë energji elektrike falë rrymave detare, baticave e dallgëve.

Projekti prej 1 miliard paund parashikon prodhimin e energjisë së mjaftueshme për 175 mijë shtëpi për të paktën 120 vjet.

Studiuesit e cilësojnë një hap përpara drejt objektivit për të prodhuar mbi 10 për qind të energjisë nga baticat, dallgët dhe rrymat detare.

Projekti parashikon ndërtimin e një muri nënujor të gjatë 9.6 kilometra në Gjirin e Suonses në Uells. Muri do të shërbejë si bazament për turbinat që do të prodhojnë energji nga uji që do të përplaset tek to.

Realizimi i projektit bëhet urgjent për shkak se Britanisë së Madhe po i shterojnë burimet tradicionale të prodhimit të energjisë, që bazohet kryesisht tek energjia bërthamore, nafta, qymyri dhe gazi.

“Një e treta e burimeve energjitike do të shterojë brenda një dekade”, thotë Mark Shorrock, drejtor ekzekutiv i “Tidal Lagoon Power”, kompani që po studion ndërtimin e hidrocentralit nënujor.

“Ajo që propozojmë ne është përse të mos shfrytëzojmë dallgët, baticat dhe rrymat detare që na rrethojnë për të siguruar për të paktën 120 vitet e ardhshme energji? Përse ky burim të mos i bashkohet energjisë bërthamore, asaj eolike dhe të tjerave me kosto të ulët për mjedisin?”, shton ai.

Kompania e drejtuar nga Shorrock shpreson të ndërtojë gjashtë hidrocentralë nënujorë në të ardhmen, ku i pari do të ndërtohet në Gjirin e Suonses dhe të tjerët në Kardif, Njuport, Gjirin e Koluin, Bridxhuater në Somerset dhe në Kumbrian Perëndimore.

Top Channel