Gjiganti kinez “Baidu” ka paralajmëruar se do të lansojë makinën e saj pa pilot në fund të këtij viti. Kompania kishte njoftuar prej kohësh që është duke punuar për këtë lloj makine, por nuk kishte qartësuar se kur do të ishte e gatshme.

“Baidu” është duke konkuruar kokë me kokë me “Google”, ndërsa ka bashkuar forcat me BMW-në për të prodhuar një makinë sa më perfekte. Kohë më parë, Yu Kai nga kompania “Baidu” kishte thënë se ata nuk pajtoheshin me vizionin e “Google” për makinat pa pilot.

Ai kishte shtuar se pajtohen që t’i japin më shumë liri drejtuesit, por nuk janë të pajtimit që makina të ketë gjithçka nën kontroll vetë. Makinat pa pilot janë shndërruar në një betejë të re në mes të gjigantëve teknologjik.

“Google” njoftoi javë më parë, se makina e saj pa pilot do të testohej këtë verë në rrugët publike. Kompania do të shfrytëzojë rrugët e Kalifornisë për të testuar makinën e saj.

Po ashtu, “Google” ka deklaruar se makinat e saj pa pilot, deri më tani, janë përfshirë në 13 aksidente në gjashtë vite testime.

Top Channel