Në Konferencën e Zhvilluesve në San Francisco, kompania Apple pritet të fokusohet tek shërbimi i ri muzikor dhe mjete më të mira për të ndërtuar aplikacione për smartwatch-in e saj.

“Ushtria” e zhvilluesve të pavarur të gjigantit të teknologjisë ka parashikuar një programim të ri për Apple Watch në Worldwide Developers Conference, ka thënë Jeff Williams, zv.presidenti i operacioneve në Apple.

“Reuters” shkruan se njësoj si produktet e tjera të Apple, suksesi komercial i orës do të varet nga koleksioni bindës i aplikacioneve të kompanisë. Por aplikacionet më të hershme për orën janë të lidhura edhe me iPhone, duke vendosur disa limite në atë se çfarë mund të bëjnë zhvilluesit.

Paketa e zgjeruar e programimit do të japë aplikacione me të mira dhe më të shpejta për orën, thotë Bob O’Donell, një analist i TECHnalysis Research.

Aplikacione të ndërtuara me një paketë të re mjetesh ndoshta mund të vijnë në vjeshtë, shton Williams. Disa analistë presin që në këtë event në San Francisco, Apple të debutojë me shërbimin e ri të transmetimit të muzikës.

Kompania e iPod dhe iTunes, prej kohësh është lider në muzikën dixhitale, por ka humbur terren në vitet e fundit, që nga lancimi i Spotify. Analisti Van Baker i “Gartner”, thotë se ai pret që Apple të lancojë shërbimin e ri për të fituar një përhapje të madhe në biznesin e transmetimit.

Top Channel