Fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja

09/07/2014 00:00

Altea dhe Sara kanë udhëtuar nga Tirana në drejtim të fshatit Bardhaj në Shkodër, për të sjellë ndihmat e mbledhura në shkollat e tyre për Marselën, e cila ka braktisur shkollën nga frika e gjakmarrjes.

Altea dhe Sara bëjnë apel se kushdo duhet të sensibilizohet për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve të ngujuar dhe se ata nuk duhet të vuajnë nga ky fenomen.

“Më erdhi shumë keq për fëmijë të tillë që vuajnë nga ky fenomen i përsëritur në zonat e Malësisë. Mendova se ne fëmijët normalë, që kemi lodra që s’i përdorim, të bëjmë diçka për t’i ndihmuar”, thotë Altea.

“Rrobat që nuk i përdor mendova t’ia jap Marselës dhe fëmijëve të tjerë që vuajnë nga ky problem”, shprehet Sara. Veshje, libra, lodra dhe një shumë modeste në të holla janë ndihmat që kanë mbledhur nxënësit e dy shkollave.

Marsela, e emocionuar, ka falenderuar bashkëmoshatarët nga Tirana për kujtesën dhe ndihmën e dhënë. “Falenderoj shumë vajzat dhe bashkëmoshataret e tyre për rrobat, fondet dhe për gjithçka”, thotë ajo.

Pak muaj më parë, kohë kur rasti i Marselës u bë publik në emisionin “Shqip” në Top Channel, kompania Top Media dhe disa biznese mbështetën familjen e vajzës që jeton e ngujuar për shkak të gjakmarrjes.

Top Channel