Lushnje, pallati rrezikon shembjen

08/07/2014 00:00

Një pallat 5-katësh në qytetin e Lushnjes rrezikon të shembet. Ndërhyrjet në katin e parë, duke ndërruar destinacionin nga shtëpi banimi në njësi tregtare, kanë krijuar të çara në të gjithë godinën.

Kati i dytë dhe ai i tretë është i pabanueshëm, ndërsa familjarët kanë braktisur apartamentin. Sipas banorëve, punimet në katin e parë të pallatit numër 70, në lagjen Gafurr Muço, janë bërë me lejen e bashkisë.

Inxhinieri ka devijuar projektin duke shembur kolonat mbajtëse të gjithë 5-katëshit. Gjatë punimeve janë krijuar të çara në muret e apartamenteve të tjera.

“Banesës i janë hequr kolonat e murit mbajtës dhe janë çarë muret e katit të dytë dhe të tretë. Ka ardhur policia, ka bërë procesverbalet dhe na ka thënë të nxjerrim fëmijët sepse nuk jep siguri”, tregon një banor.

Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në Lushnje, Flamur Peqini pranon situatën e krijuar, duke bllokuar vazhdimin e punimeve. “Duke parë gjendjen e katit të dytë ne bllokuam punimet e katit të parë. I kemi pezulluar ato dhe kemi marrë masa administrative ndaj subjekteve për të paguar dëmet e shkaktuara”, deklaron Peqini.

Ndërsa policia e Lushnjes ka nisur hetimet për rastin në fjalë, pas kallëzimit penal të bërë nga banorët e pallatit. Pronari i apartamentit dhe inxhinieri janë shpallur në kërkim.

Top Channel