Tepelenë, fermerët “të djegur” për ujë

01/07/2014 00:00

Prej shekujsh banorët e fshatitt Kodër në Tepelenë ujisnin tokat e tyre nga një kanal 4 kilomtërsh, ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena. Ky sistem funksionoi deri në vitin 1990 e më pas 80 hektarë tokë të zonës nuk kanë më ujë.

“Ne morëm 20 mijë lekë dynimi me qera nga privatët dhe mbjellim vetëm tërshërë, sepse nuk kemi ujë. Kryetari i komunës na premtoi se do ta zgjidhte problemin, ja dhamë votën dy herë, por nuk ka zgjidhur gjë. Nuk na del hesapi për të mbjellë kultura të reja, sepse 20 mijë lekë i do qeraja, 20 zetori, e me radhë. Unë e marr ujin me pompë nga lumi. E kam blerë pompën me 3 milionë lekë dhe më shkon rreth 100 mijë lekë vaditja”, tregon fermeri Pandi Shumeli.

“Këto i vadisim me pompë, këtu ku kalonte vija e ujit. Është bërë që në kohën e Ali Pashës dhe më parë uji vinte. Është rreth 80 hektarë tokë”, thotë fermeri tjetër Apostol Mici.

Fshati me 300 banorë jeton kryesisht me blegtori, thotë kryetari Andon Shumeli, i cili shton se, së fundmi emigrantët po kthehen në shtëpi dhe jetesa është vështirësuar.

“Veç bujqësisë, që thuajse është bërë inekzistente, në aspektin që nuk vaditen tokat dhe ka mbetur një dorë bar vetëm për bagëtitë, të tjerat është absurde që të mendohen”, thotë Shumeli.

Zona mbarështon 2.000 krerë të imëta dhe 300 gjedhë dhe ashtu si shumica e territoreve në Tepelenë mungesa e vaditjes për tokat pengon kultivimin edhe për foragjerët e për pasojë edhe zgjerimin e kopeve.

Top Channel