Arsimi profesional, kalon në parim pr/ligji

26/06/2014 00:00

Me votën kundër të Ben Blushit dhe abstenimin në votimin në parim të Anastas Angjelit, mazhoranca miratoi kalimin e shkollave të mesme profesionale në varësi të Ministrisë së Mirëqënies Sociale.

Blushi, që ishte i vetmi ndër deputetët e mazhorancës që e kundërshtoi këtë projekt, e argumentoi atë me faktin se po copëzohet sistemi arsimor, duke i hequr Ministrisë së Arsimit një kompetencë që ia ka dhënë Kushtetuta.

“Unë dyshoj se një nga ju mund të çojë fëmijën në një shkollë profesionale që të marrë në fund një diplomë të nënshkruar nga Ministria e Mirëqënies. Unë habitem si ka rënë dakord Ministria e Arsimit. Nëse arsimin profesional nuk e ka menaxhuar dot mirë Ministria e Arsimit, si mund ta bëjë më mirë një ministri që ka edhe azilet edhe pensionet, edhe tregun e punës”, u shpreh Blushi.

“Kompetencat për lëndët e përgjithshme i ka sërish Ministria e Arsimit, menaxhimi do jetë dual, edhe nga Ministria e Arsimit edhe nga Mirëqënia Sociale. Ne jemi të lidhur me tregun e punës, ata kanë mundësi të bëjnë praktikën. Bëhet fjalë jo për shkollat artistike apo gjuhët e huaja, por tekniko-mekanike”, u përgjigj ministri Erjon Veliaj.

Top Channel