SHBA, moti i acartë humbet epërsi

09/01/2014 00:00

I ftohti i akullt që ka përfshirë Amerikën e Veriut dhe që ka shkaktuar viktima me temperaturat më të ulëta në shekuj po humbet epërsinë e tij.

Temperaturat po rriten në Miduest dhe në Lindje, ku dhe kishte lindur e ashtuquajtura vorbulla polare, por gjithësesi ato janë të ulëta në shumë zona të tjera.

Të paktën 21 persona kanë vdekur që prej së dielës si pasojë e motit, ndërsa mbi 11 mijë fluturime janë pezulluar. Përdorimi i gazit natyral në Shtetet e Bashkuara arriti rekordin, duke bërë që të rritet kërkesa në treg.

Meteorologët parashikojnë se moti do të kthehet në normalitet në shumicën e Shteteve të Bashkuara në ditët e ardhshme, pasi 50 qytete shënuan reakordin e ri të temperaturave më të ulëta ditën e martë.

Shërbimi Kombëtar i Motit, të cilit i referohen mediat amerikane online, parashikoi të mërkurën një ngrohje të parakohshme për shumicën e zonave lindore të SHBA.

Atmosfera në Miduest, ku temperaturat ranë në -37 gradë Celsius në ditët e fundit, ka filluar të ngrohet paksa, por gjithësesi mbetet në 15 deri në 25 shkallë nën mesatare.

Ndërkohë, në Atlanta dhe Xhorxhia temperaturat u kthyen të mërkurën në 5 gradë Celsius, pas rekordit prej -14 gradë që kishin shënuar një ditë më parë.

Ndërsa qyteti i Nju Jorkut arriti në -5 gradë Celsius të mërkurën, pasi kishte regjistruar temperaturën më të ulët në 118 vjet, -15 gradë ditën e martë.

Top Channel