35 mijë firma në peticionin e AKIP

15/11/2013 00:00

Mbi 35 mijë qytetarë shqiptarë dhe të huaj kanë firmosur në internet
peticionin e ‘Aleancës Kundër Importit të Plehrave’ kundër pranimit të
armëve kimike të Sirisë nga Shqipëria.

Në orët e mesditës së të premtes, ky peticion u dorëzua zyrtarisht nga përfaqësuesit e aleancës në selinë e Kryeministrisë.
 
Nëpërmjet tij, Aleanca Kundër Importit të Plehrave i bën thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë zërin e qytetarëve, duke refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të importuar dhe shkatërruar në territorin e Republikës Shqiptare armët kimike të Sirisë. Po ashtu në peticion theksohet se ‘Shqipëria nuk ka kapacitetet e ruajtjes së mbetjeve të rrezikshme dhe as stabilitetin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e këtyre mbetjeve’.
 
35 mijë firmat nga qytetarë nga Shqipëria dhe rajoni por dhe vende të tjera si Shtetet e Bashkuara u mblodhën brenda pesë ditëve ndërkohë që numri i tyre online vazhdon të shtohet.

Top Channel