“Pasdite”, protesta kundër armëve kimike

14/11/2013 00:00

Emisioni “Pasdite në Top Channel” u fokusua në temën e nxehtë të aktualitetit në vend: protesta e qytetarëve dhe shoqërisë civile kundër ardhjes së armëve kimike siriane në Shqipëri.

Zirkon Disha, nismëtar i protestave deklaroi se “organizimi është bërë për t’i paraprirë ardhjes së armëve kimike në Shqipëri”.

“E kemi nisur nëpërmjet rrjeteve sociale. Faqja në Facebook është rritur çdo ditë dhe ka mbi 100 mijë fansa aktualisht. Kemi pasur një reagim shumë pozitiv dhe kjo u pa qartë”, theksoi Disha.

Aktivistja Pranvera Rrapushi jep dy argumente se pse është kundër: “Ka efekte të pariparueshme për mjedisin. Një argument tjetër është se të gjitha vendet e tjera i refuzuan, vetëm ne jo.”

Ndërsa Arbër Cepani, aktivist i shoqërisë civile, shkoi më tej duke thënë se protestuesit janë të gatshëm të sakrifikohen nëse armët vijnë në Shqipëri: “Nëse vijnë kamionët me armë, do të ulemi para tyre dhe le të kalojnë sipër trupave tanë. Është e qartë që nuk është një protestë politike. E keqja është që politikanët e konsiderojnë popullin “dele”, por shqiptarët treguan se mund të bashkohen.”

Top Channel