Armët, BE: Nuk ka ende marrëveshje

14/11/2013 00:00

BE ka preferuar të mos komentojë në lidhje me shqetësimet e ngritura nga
media mbi përfshirjen e Shqipërisë në planin për shkatërrimin e armëve
kimike siriane, të paktën deri në publikimin zyrtar të detajeve të një
plani të tillë.

“E gjitha që mund të them është që deri kur të finalizohet dhe publikohet plani i Organizatës së Ndalimit të Armëve Kimike (OPCW) dhe OKB-së, për shkatërrimin e armëve kimike siriane, ne nuk do të jemi në gjëndje të komentojmë aspektet e ndryshme të këtij plani. Vetëm pas publikimit të tij do të bëhen më të qarta aspektet e ndryshme, roli që do të luajnë njerëzit e ndryshëm si dhe masat e sigurisë që do të vendosen. Për momentin nuk preferojmë të komentojmë mbi detajet e diçkaj qe që nuk është publikuar ende”, u shpreh Michael Mann, zëdhënës i Catherinë Ashton.

Megjithë shqetësimet për rrezikshmërinë për vendin apo për kapacitetet e Shqipërisë nën imazhin e njërit prej vendeve “më të prapambetur” në Evropë, i vetmi koment paraprak i zëdhënësit të Catherine Ashton ishte ai për mirëbesimin ndaj organizatave të specializuara që po punojnë për këtë plan.

“Po flasim për diçka mbi të cilën nuk ka ende marrëveshje. Më vjen keq por këtu askush nuk po flet për të hedhur ndonjë gjë ndokund. Sido që ta vendosin ta bëjnë këtë Organizata e Shkatërrimit të Armëve Kimike dhe OKB, jam i sigurtë se gjithçka do të bëhet në një mënyrë të lartë profesionale dhe konform aftësisë që kushdo që do të merret me këtë do të jetë i aftë të merret dhe me pasojat. Sigurisht që kjo po bëhet nga një organizatë ndërkombëtare e specializuar për armët kimike dhe nga Kombet e Bashkuara”, tha Mann.

Zëdhënësi i Përfaqësueses së Lartë përsëriti se BE nuk do të komentojë para publikimit të planit përfundimtar për shkatërrimin e armëve kimike siriane, nismë për të cilën vetë BE pritet të ofrojë ndihmë logjistike, në momentin e njohjes së detajeve përfundimtare.

Pergatiti ERNEST BUNGURI

Top Channel