Hiqni dorë nga konsumi i tepërt i kripës. Mjekët këshillojnë 3-4 gram kripë në ditë, por edhe kjo e llogaritur së bashku me sasinë e bukës, ujit dhe produktve ushqimore që konsumojmë.

Sipas tyre është shtuar ndjeshëm numri i personave që vuajnë nga hipertensioni  në vendin tonë  dhe për pasojë edhe goditjet cerebrale. Mjekët raportojnë për 15 raste në ditë në të gjithë vendin, ndërkohë që tashmë po preken edhe mosha të reja, që përvec trashëgimisë familjare kanë faktorë kequshqyerjen, diabetin, jetën sedentare dhe rritjen e stresit.

“Në Shqipëri llogaritni që është mesatarja ditore rreth 15 në ditë. Mosha është ulur sepse është hipertensioni sëmundja kryesore. Ne si popullatë 4-5 fishin e sasisë së kripëës që domethënë hipertension të rëndë dhe njerëzit kanë krijuar një opinion jo të drejtë që tensionin 14 e quajnë normal, kur 14 duhet të fillosh mjekim serioz”, thotë Drejtori i Repartit të Neurokirurgjisë, Prof.Dr. Mentor Petrela.

Goditjet cerebrale të shtuara kaq shumë kanë shpesh pasoja fatale. Ndaj mjekët  kërkojnë vëmendjen e personave të prekur dhe të familjarëve të tyre, të parët për të përmirësuar mënyrën e jetesës, ndërsa familjarët që të mos neglizhojnë simptomat e para të dukshme që shfaqin goditjet e trurit.

“Shenjat janë nga më të ndryshmet, por në përgjithësi dominojnë ato që quhen shenjat e paralizës, parezës, mungesës së të folurit, e prekjes së nervave që komandojnë fytyrën dhe ajo që është më shokuese, është dhimbja e kokës e pandjerë ndonjëherë”, thotë zoti Petrela.

Nëse këto simptoma trajtohen në kohë me mënyrë e duhur atëherë pacienti  nuk humb jetën, por shpëton dhe nga paralizat e ndryshme që mund të shkaktojnë goditjet cerebrale.

Top Channel