Skandali me fëmijët romë

03/09/2013 22:40

Ministria greke e Drejtësisë ka pranuar se hetimi për zhdukjen e 502 fëmijëve romë nga Shqipëria në Institutin bamirës “Agjia Varvara” në Athinë, në vitet 1998-2002, nuk ka treguar asnjë fakt se bëhet fjalë për një vepër kriminale.

Deklarata është bërë nga vetë ministri i Drejtësisë, Haralambos Athanasiu, në një seancë parlamentare, ku është thirrur për të dhënë sqarime për këtë çështje, që ka risjellë në vëmendjen e opinionit publik një deputete e partisë në opozitë, e Majta Demokratike.

Hetimi ka filluar qysh prej vitit 2004, pas një denoncimi të Avokatit të Popullit në OKB, por pa asnjë të dhënë elementare, ka theksuar ministri grek. Sipas tij, shifrat janë arbitrare dhe ky denoncim thjesht i ka bërë keq Greqisë.

Shpeshherë i nxjerrim vetes namin e keq, ka thënë ai në parlament. Nga hetimi i organeve të Drejtësisë konkludon se, në prag të Lojërave Olimpike në Athinë janë mbledhur gjithë fëmijët romë nga Shqipëria, që qëndronin nëpër semaforë.

Por, qysh në fillim, shumë fëmijë janë marrë nga prindërit e tyre dhe të tjerët janë larguar vetë. Për këtë fakt nuk ka asnjë listë, nuk ka asnjë regjistrim të fëmijëve.

Nëse ndokush ka të dhëna se fëmijët janë rrëmbyer, le t’i sjellë ato pranë organeve të Drejtësisë, të cilat do të hetojnë në bazë të tyre, ka deklaruar Athanasiu.

Skandali i zhdukjes së 502 fëmijëve shqiptarë nga Instituti bamirës, megjithëse u denoncua nga një organizatë ndërkombëtare në vitin 2003, vetëm një vit më pas organet greke kanë publikuar raportin për zhdukjen e tyre, dhe katër vjet më vonë e gjithë dosja me dokumentet e kësaj çështjeje i është dorëzuar organeve shtetërore dhe është konsideruar e mbyllur.

Top Channel