Berisha: 23 qershori, i manipuluar

29/07/2013 00:00

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha e ka quajtur të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit. Në një deklaratë përmes Facebook, Berisha është ndalur tek vendimi i Partisë Socialiste për t’u tërhequr nga kërkesa për rivotim në Qarkun e Lezhës, duke e cilësuar atë “frikë nga ndëshkimi me votë për manipulimet”.

Ai shkruan se 1250 votat që rezultuan të manipuluara “me dhunë, drogë, para droge dhe terror, janë simboli i shëmtuar i 23 qershorit”.

“Edi Rama sot pranoi botërisht se ka vjedhur 1250 vota në Lezhë. Ai papritmas tërhoqi kërkesën e paraqitur në gjykatë për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Lezhës pasi u gjet se në 14 kuti të këtij qarku kishte vjedhur me dhunë, terror dhe para droge 1250 vota dhe natyrisht me përsëritjen e zgjedhjeve, indirekt, u kërkohej ndjesë qytetarëve të Lezhës”, thotë Berisha.

Kryeministri në detyrë thotë se Lezha do i hapte rrugën përsëritjes së zgjedhjeve edhe në qarqet e tjera dhe në atë të Shkodrës, ku sipas tij, janë vjedhur 700 vota.

“Tërheqjen ai e bëri vetëm e vetëm se përsëritja e zgjedhjeve do të sillte ndëshkimin e tij shembullor nga lezhianët për vjedhjen e votës më 23 qershor dhe do hapte rrugën për përsëritjen e tyre në Shkodër ku janë vjedhur rreth 700 vota dhe në qarqe të tjera”, shton më tej Berisha.

Ish-kryetari i PD-së deklaron se pavarësisht këtij vendimi të socialistëve, rezultati i 23 qershorit “është fundëkrye i manipuluar”.

“Pavarësisht nga kjo tërheqje, zgjedhjet e 23 qershorit, rezultati i tyre, mbeten fundëkrye të manipuluara. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve aty ku janë përdorur krimi dhe paratë e pista janë vendimtare për stabilitetin e vendit”, përfundon Berisha.

“Rama u tërhoq, të kërkojë ndjesë”

Pas vendimit të socialistëve për tërheqjen nga kërkesa për ripërsëritjen e zgjedhjeve në Lezhe, Partia Demokratike i kërkoi Edi Ramës që të kërkojë ndjesë për grabitjen e mandatit të deputetit në këtë qark.

Oerd Bylykbashi tha se demokratët nuk do të heqin dorë nga transparenca e zgjedhjeve të 23 qershorit. 
 
“Pasi u vërtetua në dritën e diellit se Partia Socialiste kishte grabitur një mandat të Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës nëpërmjet vjedhjes së votave, Edi Rama u tërhoq sot nga kërkesa për rivotim në qarkun e Lezhës. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi atyre votën. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesve të PD-së në KQZ një akt i pashembullt që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Tërheqja nga rivotimi në qarkun e Lezhës që pas tërheqjen nga kërkesa për numërim të votave në qarkun e Shkodrës, dëshmon fare qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë. Sot, kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë me pretendimin absurd se këtë e bëka në interes të vendit. PD mbetet e vendosur si kurrë më parë të ndjekë deri në fund dhe përkundër çdo presioni anti-institucional, rrugën e transparencës së plotë të asaj që ndodhi me 23 qershor në Lezhë, në Shkodër dhe kudo tjetër. Ky është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari shqiptar”, tha Bylykbashi.

Top Channel