Braçe: BSH, përgjegjëse për krizën

26/07/2013 20:15

Deputeti socialist Erjon Braçe ka hedhur kritika të forta mbi Bankën e Shqipërisë, duke e akuzuar atë si përgjegjëse bashkë me qeverinë në shthurjen e financave publike.

“Banka e Shqipërisë ka qenë e hapur pa hesap, për të mos thënë e shqyer, përballë agresionit politik ndaj financave të shtetit për zgjedhjet. Defiçiti është tejkaluar me 180 milionë dollarë. Krahasuar me një vit më parë, që konsiderohet një vit normal nga aspekti politik, tejkalimi është me 270 milionë dollarë”, ka deklaruar Braçe.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, thuajse të gjithë treguesit më të rëndësishëm fiskalë të buxhetit dolën jashtë kufijve të vendosura me ligj nga Parlamenti.

Për shkak të shpenzimeve të larta dhe rënies së të ardhurave, qeveria e tejkaloi kufirin e borxhit me 186 milionë dollarë, duke konsumuar vetëm në gjashtë muaj 80 për qind të gjithë shumës vjetore.

Por zoti Braçe thotë se shkelja më flagrante është ajo e huamarrjes së brendshme, treguesi kryesor ku ndërthuren politikat e qeverisë me ato të bankës qëndrore.

“Banka e Shqipërisë ka mbyllur sytë dhe e ka lënë qeverinë që të tejkalojë çdo parametër ligjor të planifikuar në ligjin për buxhetin e shtetit përsa i përket huamarrjes së brendshme, sa që në fund të gjashtëmujorit është ezauruar 91 për qind e nivelit të huamarrjes të parashikuar në ligj”, ka thënë Braçe.

Deputeti socialist thotë më tej se banka lejoi rritjen e borxhit, që u përdor për të financuar shpenzimet elektroale të qeverisë.

“Muajt kur ka ndodhur kjo situatë, sipas tabelave të vetë qeverisë, janë: shkurti, marsi, prilli dhe maji. Në këto muaj kur ka qenë ulëritëse nevoja e qeverisë për fushatën, BSH ka lejuar që qeveria të prekë nivelet ligjore të huamarrjes së brendshme, në nivele që në muajin shtator do ta bëjnë shumë të vështirë qeverisjen e këtij vendi”, ka nënvizuar Braçe.

Zoti Braçe nuk është zëri i vetëm kritik ndaj mënyrës së si është drejtuar Banka e Shqipërisë. Edhe ekspertë të tjerë të financave publike kanë shprehur publikisht të njëtin qëndrim.

Pak ditë më parë, në një intervistë për Top Channel, ish-zëvendësministrja e Financave, Adriana Berberi deklaroi se Banka e Shqipërisë është përgjegjësja kryesore pas qeverisë për krizën e thellë të financave publike.

Top Channel