Vizat, Shqipëria rekord refuzimesh

17/05/2013 19:55

Pas deklarimit të 3 ditëve më parë nga Durrësi se qeveria shqiptare do të punojë për hequr vizat me SHBA, Top-Channel e pyeti kryeministrin Berisha gjatë konferencës për shtyp në Korçë se si mund të rrealizohet kjo.

Ambasada amerikane ka thënë një të vërtetë. Kjo qeveri nuk ka kërkuar favore që s’i përkasin. Ne do kërkojmë ndihmë për të plotësuar kushtet, sepse është një marrëdhënie e veçantë dhe miqësore me SHBA”, deklaroi Berisha.

Pavarësisht premtimit për dedikim të kryeministrit Berisha nëse ai fiton një mandat të tretë qeverisës, në realizimin e kërkesave që duhet të përmbushë Shqipëria për të hequr vizat, realitieti i proçedurave duket tejet strikt.

Në faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, seksioni i vizave, me detaje sqarohen se cilat janë 5  kushtet për t’u bërë pjesë e programit Waiver, i cili deri më tani i ka mundësuar vetëm 37 vendeve lëvizjen drejt Amerikës pa viza.

Kushti i parë dhe më i vështiri momentalisht për Shqipërinë mbetet shkalla e lartë e refuzimit të vizave prej ambasadës amerikane në Tiranë, i cili për vitin 2012 ishte 40.5 e aplikantëve, ndërkohë që për të përfituar nga programi Waiver ky refuzim duhet të jetë 3%.

Në 6 vitet e fundit statistikat e Departamentit amerikan të Shtetit na tregojnë se niveli i refuzimeve të vizave është konstant mbi 35 %. Numri më i madh i refuzimeve është shënuar në vitin 2006 me 54.5%, pasuar nga viti 2007 me 49.5%. Nivele disi më të ulëta refuzimi ka në vitet 2008 deri 2010, ndërsa kurba e refuzimeve vijoi të rritet për 2011-ën dhe vitin pasardhës.

Albania   40.5% 2012
Albania   42.3% 2011
Albania   37.7% 2010
Albania   39.6% 2009
Albania   38.7% 2008
Albania   49.5% 2007
Albania   54.5% 2006

Katër kushtet e tjera që duhet të plotësojë një vend për të hyrë në programin Waiver janë:

1-Shkëmbimi i të dhënave mes agjencive të sigurisë shqiptare dhe atyre amerikane.

2-Pasjen në përdorim të pasaportave me standartin E-Passports.

3-Shkëmbimin e informacionit për pasaportat që prodhohen, ato që lëshohen, përfshirë ato të humbura apo të vjedhura.

4-Ekzistencën e agjencive me standartet më të larta në luftën kundër terrorizmit, ato ligjzbatuese, përfshirë ato të ruajtjes së kufirit.

Megjithatë, në faqen e Departamentit të Sigurisë Kombëtare theksohet se pavarësisht se shtetet i plotësojnë kushtet e kërkuara, kjo nuk është një garanci absolute për heqjen e vizave.

Por çfarë është programi i vizave Waiver?

Në të përfshihen të gjithë ata persona që duhet të pajisen me vizën e tipit B, për qëllim vizite në SHBA lidhur me turizmin apo biznesin, për 90 ditë u jepet e drejta të mbërrijnë në Amerikë pa vizë nëse përmbush disa kushte të hartuara nga Departasmenti i Sigurisë Kombëtare.

Për të udhëtuar nëpërmjet programit Waiver, qytetarët duhet të jenë të regjistruar në sistemin e autorizuar ESTA përpara se të hipin në bordin e avionit. Ky sistem kontrollon dhe siguron legjitimitetin e udhëtarit drejt SHBA.

Top Channel