Përmbytjet nuk i kanë lehtësuar aspak banorët e Shkodrës, ndërkohë që
dje është shtuar frika tek ata, pasi janë rikthyer reshjet e shiut dhe
Buna kërcënon të fryhet sërish.
Situata e vështirë vazhdon të jetë edhe në Vlorë, megjithëse shtabi i emergjencës duket i qetë, pasi niveli i ujit në Vjosë vazhdon të ulet.
Shkodër
Nga raportimet në Shkodër mësohet se reshjet e shiut që kanë rinisur dje pas 24 orë pushimi, kanë shtuar ankthin te banorët, që prej disa ditësh përjetojnë përmbytjet. Edhe dje, fshati Obot ka vijuar të mbetet i izoluar nga përmbytjet, ndërsa në Komunën Ana e Malit janë 1800 hektarë tokë të përmbytura.
Prezencë e madhe e ujit vërehet edhe në fshatin Shirq të Komunës Dajç, ku mjetet e vogla ende nuk lejohet të kalojnë. Në Shirq, uji ka mbërritur nga 50 cm deri në 1 metër. Megjithatë, nuk ka banesa nën ujë, por vetëm toka bujqësore. Kurse në aksin rrugor Shkodër-Velipojë uji arrin deri në 70 centimetra.
Në vende ku është tërhequr uji, familjarët kanë nisur të bëjnë pastrimet, ndërsa gjithçka thuajse është shkatërruar. Mobiliet e ngritura në lartësi dhe objekte të hedhura sipër njëra–tjetrës për t’i shpëtuar ujit është pamja e banesave në zonën e Nënshkodrës. Në Komunën e Bërdicës, shtëpitë që u përmbytën të parat mbrëmjen e së enjtes, kanë nisur të verifikojnë dëmet.
Familjarët shprehen se kanë humbur çdo shpresë për dëmshpërblim dhe se dëmet janë të mëdha, në një kohë kur nuk kanë marrë asnjë qindarkë nga përmbytjet e 2010-2011-s. Askush nuk ka denjuar të vijë për të parë dëmet sipas tyre, përveç përfaqësuesve të komunës.
Në tërësi, në Komunën e Bërdicës ka pasur 40 shtëpi të përmbytura, 100 banorë të evakuuar nga banesat, 25 biznese nën ujë dhe 150 familje të rrethuara nga uji. Gjithashtu ka pasur 800 hektarë tokë bujqësore të përmbytura, nga të cilat 100 hektarë ishin të mbjella me grurë, 50 me hasëll, 15 me pemë frutore dhe vreshta, 10 me perime të stinës dhe 625 me jonxhë. Dëmet janë të mëdha dhe askush deri më sot, me gjithë premtimet e bëra, nuk ka nxjerrë një bilanc të saktë dhe shumën që duhen t’u kompensohet këtyre familjeve.
Vlorë
Ndërsa në Vlorë, mot i keq me suferinë dhe erë të fortë ka shoqëruar edhe dje banorët e qytetit bregdetar. Era ka kapur shpejtësinë 55 km në orë. Moti, ende nuk është përmirësuar pas përmbytjeve të javës së kaluar, në Portin e Vlorës. Përgjatë gjithë mbrëmjes, trageti ka qëndruar në Portin e Vlorës dhe mëngjesin e të hënës nuk u nis drejt Italisë dhe si pasojë e dallgëve të mëdha u detyrua të dilte në radë, në spirancë, ndërsa anijet e rënda janë në det të hapur brenda gjirit dhe presin të ankorohen vetëm pas qetësimit të detit. Moti i keq përveçse ka pezulluar trafikun detar dhe doganën, ka shkaktuar në qytet edhe një sërë dëmtimesh kryesisht në pemë dhe billborde. Referuar shërbimit sinoptik, moti pritet të përmirësohet vetëm ditën e mërkurë.
Top Channel