Serbia e ka pritur përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mes akuzash për këtë shtet dhe pranimit të realitetit.

Kryeministri Ivica Daçiç ka deklaruar se për Pavarësinë kanë arritur në Prishtinë rreth 20 delegacione, nga ato që njohin Kosovën, por edhe 100 vjet mund të vazhdojë kështu.

“Duhet kuptuar që, pa marrëveshje me shtetin nga i cili kërkohet ndarje, nuk ka shtet. Ne jemi të gatshëm për bisedime”, ka thënë Daçiç.

Zyra e qeverisë serbe për Kosovën ka lëshuar një njoftim për shtyp, që më shumë i ngjan përdorimit të brendshëm, ku thuhet se Serbia kurrë nuk do ta pranojë Pavarësinë e Kosovës.

Në këtë reagim, qeveria bën një bilanc dhe thotë se, pa gjykuar të gjitha krimet, nuk mund të ketë progres dhe ripajtim.

Sipas tyre, pa pajtimin e Serbisë nuk mund të ketë qetësi në Kosovë dhe këtë duhet ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare. Qeveria njofton se, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, kanë ndodhur 1015 sulme.

Kryetari i Partisë Liberaldemokratike, Cedomir Jovanovic, ka theksuar se Serbia duhet ta pranojë realitetin e ri në Kosovë.

Dragan Gjillas, kryetar i Partisë Demokratike, ka theksuar se qeveria ka bërë shumë gabime gjashtë muajt e fundit, duke dhënë për Kosovën më shumë se sa kërkohet. Por, sipas tij, Serbia mund të ndihmojë qytetarët vetëm nëpërmjet ekonomisë.

Ish-kryeministri, në kohën e shpalljes së Pavarësisë, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se separatistët shqiptarë, së bashku me forcat e NATO-së, kanë shkelur rezolutën 1244 dhe është e qartë se shteti i rremë, siç ka thënë, i Kosovës nuk ka legjitimitet, por mbahet me dhunë.

Top Channel