Liderët politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë nuk kanë arritur të merren vesh lidhur me lapidarin e dëshmorëve në Preshevë.

Deri në orët e vona të së enjtes është biseduar në një takim në Bujanoc, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e ambasadës amerikane, britanike dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Por pavarësisht ideve për zhvendosje në një vend tjetër, apo kërcënimeve me rrënim, lapidari ka mbetur një problem i pazgjidhur.

“Nuk ka asgjë të re lidhur me kërkesën e qeverisë së Serbisë për largimin e përmendores. Bisedimet e politikanëve shqiptarë me zyrtarët e qeverisë së Serbisë do të vazhdojnë”, deklaroi pas takimit Riza Halimi, deputet i Kuvendit të Serbisë.

Në takim ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i qeverisë dhe kryetari i Trupit Koordinues për Jugun, Zoran Stankoviç, por shqiptarët kanë zgjedhur për të mbajtur mbledhjet e paralajmëruara nga kuvendet komunale.

Më pas Kuvendi i Deputetëve Shqiptarë do të vendosë për qëndrimin e shqiptarëve, por deri atëherë lapidari ngelet së bashku me kërcënimin për rrënim.

Top Channel