Shqiptarët reagojnë për Lapidarin

08/01/2013 00:00

Shqiptarët e Luginës së Preshevës do t’i përgjigjen për herë të parë pas shumë kohësh Qeverisë së Serbisë të bashkuar.

Kritikat e shumta, kërcënimet dhe tensionet e ngritura për Lapidarin e Dëshmorëve në qendër të qytetit të Preshevës, kanë bërë që të gjithë liderët dhe kundërshtarët politikë të mblidhen në orët e së hënës pasdite për t’i kthyer një përgjigje ultimatumeve për heqjen e Lapidarit, e sidomos pasi Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka thënë se pas datës 17 janar, kur pritet të vazhdojnë bisedimet me Kosovën në Bruksel, lapidari do të hiqet me lutje apo dhunë.

Kuvendet komunale do të mblidhen fillimisht deri në fund të javës, e më pas do të mblidhet edhe Kuvendi i Delegatëve Shqiptarë, një organizim që vepron jashtë institucioneve.

“Pasi të shqyrtohet situata e rëndë që u shkaktua pas kërcënimeve pas kriminelit më të lartë shtetëror, aty automatikisht do të vijnë konkluzionet për aktivitetet e tjera lidhur me mbrojtjen, jo vetëm të monumentit, në këtë rast të Lapidarit të Dëshmorëve në Preshevë, por në përgjithësi, veprimet që duhet t’i marrin partitë politike, në periudhën ndihmëse për t’i mbrojtur të gjitha të drejtat legjitime të shqiptarëve, të cilat së fundmi janë duke u shkelur në mënyrë flagrante”, thotë Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë.

“Do të njoftojmë të gjithë korin diplomatik të akredituar në Beograd që të marrë pjesë në këto seanca, në mënyrë që drejtpërdrejt të njihen me problemet që prekin shqiptarët në Lugivën e Preshevës”, tha Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

“Kurrsesi nuk lejojmë që të zhvendoset pllaka përkujtimore e qendrës së Preshevës. Të gjithë kanë qenë njëzëri, këmbëngulës se pllaka përkujtimore e ka vendin e vet, ndodhet në vendin e duhur dhe çdo delegacion kur vjen për ta vizituar një komunë do të vendosë një kurorë me lule të freskëta për të nderuar dëshmorët.Këta janë dëshmorët e UCPMB-së dhe duhet të nderuar, respektuar veoprën e tyre sepse ata janë të cilët na kanë sjellë këtë pak liri në Preshëve, Medvegjë dhe Bujanoc”, thotë Jonuz Mysliu, nga Lëvizja e Progresit Demokratik.

Shqiptarët kanë marrë mbështetjen edhe të qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, por kjo nuk ka penguar heqjen e flamujve shqiptarë në Bujanoc pak ditë më parë dhe paralajmërimin se Lapidari nuk mund të vendoset pa lejen e Serbisë.

Lidhur me situatën e tensionuar në Preshevë, fundjavën e kaluar u pronuncua edhe kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili vlerësoi se veprimi i paralajmëruar i Beogradit rrit tensionet mes serbëve dhe pakicës shqiptare.

Tensionet në Luginën e Preshevës po rriten nga kërcënimi i qeverisë serbe. Kërcënimi për heqjen e monumentit të Martirëve të Lirisë është dëshmi e albanofobisë”, deklaroi Berisha.

Duke theksuar se, në çdo vend të lirë janë vendorët ata që vendosin për monumentet historike, kryeministri i bëri thirrje lidershipit politik serb që të heqë dorë nga provokimet.

“Qeveria shqiptare i bën thirrje Beogradit të heqë dorë nga praktikat albanofobe dhe të respektojë pakicën shqiptare që jeton në trojet e veta etnike në Serbi”, pohoi Berisha, i cili u drejtoi një apel edhe shqiptarëve.

“Ftoj shqiptarët e Preshevës që të mos provokohen nga ata që kanë si qëllim spastrimin etnik. Vandalët mund të rrënojnë një përmendore të luftëtarëve, por të rënët tanë nuk vdesin kurrë”, shtoi Berisha.

Top Channel