Serbi, diskutohet platforma për Kosovën

08/01/2013 00:00

Një seancë e përbashkët e qeverisë dhe e presidentit të Serbisë mbi platformën për Kosovën zhvillohet sot në Beograd.

Në takim, siç raportojnë mediat serbe, pritet të miratohen parimet kryesore të platformës, të cilat qeveria serbe në formën e projekt/rezolutës do t’ia dërgojë Kuvendit për miratim.

Presidenti Tomisllav Nikoliç një ditë më parë deklaroi se në këtë seancë duhet të miratohet platforma dhe theksoi se ndaj dokumentit nuk duhet të ketë skepticizëm, mosbesim dhe autoçensurë.

Sipas burimeve mediatike, seanca e Kuvendit ku do të diskutohet platforma pritet të mbahet më 11 janar. Paketa është hartuar me synimin për të qenë baza e bisedimeve me Kosovën, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Një ditë më parë, shefi i Zyrës për Kosovën, Aleksandar Vulin deklaroi se këtë javë Beogradi do të shpallë qëndrimin e tij ndaj Kosovës përmes platformës politike.

Duke folur nga Graçanica, Vulin tha se platforma, e cila do t’i prezantohet edhe faktorit ndërkombëtar, parashikon qartazi se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë.

“Ky është një vit në të cilin do të merren vendime të mëdha dhe të rëndësishme. Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë dhe ky fakt nuk do të ndryshojë asnjëherë”, tha zyrtari serb.

“Platforma ka vërtetuar atë se si ne e shohim Kosovën dhe gjatë kësaj jave do ta bëjmë publike këtë platformë si për opinionin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm”, u shpreh ai.

Top Channel