Ndërsa në Tiranë mbetet i ndezur debati për përmbushjen e 3 kushteve të
Brukselit, në kryeqendrën e BE-së vendet anëtare kanë nisur diskutimet
mbi rekomandimin dhe vlerësimet e Komisionit për Shqipërinë, sipas
raport-progresit të 10 tetorit.

Disa burime diplomatike në Bruksel konfirmojnë për Top Channel se qëndrimet e vendeve anëtare ndahen në tre grupe: mbështetëse, kritike dhe neutrale.

Në grupin e parë hyjnë vendet që mjaftohen me rekomandimin e Komisionit për dhënien e statusit, me kusht plotësimin e tre çështjeve të mbetura. Këtu përfshihen pjesa dërrmuese e vendeve të reja anëtare të lindjes dhe atyre balltike dhe sigurisht mbështetësit e përhershëm, Italia, Sllovenia, e deri diku, pa llogaritur insistimet për zgjidhjen e çështjeve problematike dy-palëshe, Greqia.

Përballë këtyre vendeve qëndron grupi i të pakënaqurve me vlerësimet e Komisionit, ndër të tjera për fushën e sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit, ku përveç Holandës, e cila tashmë e ka bërë të qartë dhe publik qëndrimin e saj zyrtar, përfshihet Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Danimarka, por edhe Suedia dhe Spanja. Vendet e tjera anëtare mbajnë ende një qëndrin neutral në bisedimet e zhvilluara këto ditë në Grupin e Punës për Ballkanin pranë Këshillit të BE-së.

Me nisjen e punës për hartimin e konkluzioneve të dhjetorit, TCH ka mësuar nga disa burime konfidenciale se Gjermania mund të propozojë që në këto konkluzione të përfshihen zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 si kusht për dhënien e statusit. Nëse ndodh kështu, kjo gjë do ta shtynte vendimin e BE-së për dhënien e statusit për dhjetorin e vitit të ardhshëm.

Sipas të njëjtave burime, edhe në rast se Tirana përmbush 3 çështjet, me apo pa raportin e dytë të Komisionit, për grupin e vendeve kritike, përveçse një gjuhe pak më pozitive në konkluzionet e dhjetorit, nuk pritet të ndryshojë qëndrimi i këtyre vendeve me peshë në BE, bazuar në gjykimin e tyre për progresin real të vendit dhe në faktin se reformat e momenteve të fundit nuk mund të konsiderohen të besueshme.

Grupet e punës së përfaqësuesve të vendeve anëtare pritet të diskutojnë për Shqipërinë edhe javën që vjen, të hënën dhe të mërkurën, para se dosja e zgjerimit me draft-konkluzionet përkatëse t’i kalojë për diskutim ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së (Coreper), më 28 nëntor. Në 11 dhjetor, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë, me unanimitet, konkluzionet që më pas do të mbështeten formalisht nga krerët e shteteve dhe qeverive të BEsë më 14 dhjetor, në ditën e dytë të samitit europian.

Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel