Gjyqi për kryetarin, tërhiqet Ndreka

21/11/2012 00:00

“Sot unë deklaroj se kjo çështje nuk ka më vlerë të zgjidhet në Gjykaten
e Fierit, sepse këto çështje i ka zgjidhur gjyqësori”. Kjo deklaratë
është e kryetarit të shkarkuar socialist të Qarkut të Fierit, Vangjel
Ndreka, i cili kishte kërkuar gjykimin në themel të çështjes, që është
shndërruar në kushtin kryesor për arritjen e një marrëveshjeje mes
Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për votimin e tre ligjeve, që
kërkohen për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Me kete qendrim, zoti Ndreka u terhoq nga padia qe pritej te shqyrtohej ne themel nga gjykata e Fierit, duke vleresuar se disa vendime te meparshme te gjykatave e kane zgjidhur çeshtjen per mbledhjen, qe sipas tij e shkarkoi ate ne menyre te paligjshme. 

“Ne keto kushte, kur gjyqesori ehte shprehur se kjo mbledhje nuk duhej te thirrej dhe se dyti, kur keshilltaret qe kane marre pjese kane qene te paligjshem, eshte e vërtetuar plotësisht dhe une nuk kam me nevoje  per ta zhvilluar procesin gjyqësor  dhe ne kushte e terheq padine nga Gjykata e Fierit, per arsye se keto probleme sot jane zgjidhur”, tha Ndreka.

Zoti Ndreka, i cili shoqerohej nga avokati i tij, la te kuptohej gjithashtu se u terhoq nga padia edhe per shkak te asaj qe e quajti “kapje te gjyqtarit” te ceshtjes se tij nga kryeministri Berisha.

“Une do te kerkoja nga Kryeministri qe te zbatoje vendimet e  gjyqësorit per te gjithe keshilltaret e rikthyer ne karrigen e keshilltarit dhe me vjen keq sot qe nuk i jap mundesine kryeministrit dhe  gjyqtarit te ceshtjes pe te marre nje vendim  ne kundershtim me ligjin dhe te entuziamojne te gjithe ata qe perkrahin vendimet e  gjyqësorit qe jane ne kundershtim me ligjin”, theksoi Ndreka.

Berisha: Fieri, një lojë e Ramës

Pas vendimit të Vangjel Ndrekës për t’u tërhequr nga padia që ka bërë në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier, Kryeministri Berisha ka akuzuar ashpër kreun e opozitës Edi Rama.

Berisha tha se Rama e ngriti alibinë e Fierit, si një arsye për të justifikuar bllokimin e marrjes së statusit të vendit kandidat.

“Unë dua të informoj qytetarët shqiptarë se pikërisht sot, një ditë pas 20 nëntorit, e fiksuar në raportin e Komisionit Europian, si një datë para së cilës duhet të votoheshin tre ligjet, në mënyrë që Komisioni të bënte raportin për Këshillin, zoti Edi Rama, në një intrigë e lojë të turpshme, të paimagjinueshme, në kurriz të çdo shqiptari, urdhëroi zotin Vangjel Ndrekën të tërhiqet nga padia gjyqësore. Misioni u krye, ndaj nuk duhet më gjykimi.në këtë 100 vjetor, del njëqind herë e vërtetë ajo që ka thënë Faik Konica: Zoti e ruajt Shqipërinë, nga shqiptarët.Kjo që ndodh tani është cinizmi dhe tallja më e madhe me ëndrrën fisnike të çdo shqiptari. Kjo që ndodh është një intrigë e përmasave makbethiane, në kurriz të shqiptarëve ndershëm. Pretendimin se ishte ai, kryetari i Këshillit të Qarkut, nuk e ka më. Por kjo i duhej vetëm për t’i krijuar zotit Rama, pretekstin e bllokimit, pretekstin e një vendimi absurd”, tha Berisha.

Reagon Rama në Twitter

“Kryeministri Sali Berisha tha shpifjen e ditës se PS u tërhoq nga Fieri! Jo, PS ka fituar në popull dhe në gjykatë, me vendim të formës së prerë, të drejtën të drejtojë qarkun. PS nuk është tërhequr nga asgjë. Kur nuk njeh vendimet e gjykatave, s’ke si kupton logjikën e proceseve gjyqësore. Pengmarrja e Fierit alibi e Kryeministrit”.

PS: Nuk u tërhoqëm, vendimet e mëparshme janë të formës së prerë

Partia Socialiste, përmes deputetit të Fierit, Armando Subashi, ka reaguar menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, i cili u shpreh se PS është tërhequr nga çështja e Qarkut të Fierit, duke u nisur nga tërheqja e padisë prej përfaqësuesit të kësaj partie në qarkun e Fierit, Vangjel Ndreko.

Subashi sqaroi se tërheqja e padisë së depozituar lidhur me mbledhjen e paligjshme të mbajtur në 16 nëntor  2011 u bë për faktin se për një vit me radhë kjo dosje u mbajt në ‘sirtar nga një gjyqtar i komanduar nga Berisha’ dhe se të gjitha vendimet e gjykatave i kanë dhënë të drejtë PS lidhur me kreun e Këshillit të Qarkut të Fierit.

“Kishim kërkuar pavlefshmëri të mbledhjes së turpshme ku u zgjodh kryetar Artur Shehu. Por çështja e Fierit është zvarritur nga një gjyqtar i komanduar nga Berisha. Gjykatat i kanë dhënë zgjidhje të formës së prerë kësaj çështjeje,mandatet e këshilltarëve të qarkut janë të paprekshme. Kjo mbledhje e thirrur nga prefekti ka qenë tërësisht e paligjshme”, është shprehur Subashi.

Subashi i cilësuar gënjeshtra deklaratat e kryeministrit dhe i ka bërë thirrje të mos ngrihet mbi vendimet e gjykatave, të cilat janë të formës së prerë, por të ulet në tavolinë me PS për ta zgjidhur nga pikëpamja politike këtë çështje, duke i hapur kështu rrugën integrimit të vendit.

“Ne nuk jemi tërhequr nga çështja e Fierit. Berisha ka mbi tavolinë vendimet e gjykatave që me formë të prerë i kanë dhënë të drejtë 11 këshilltarëve të ulen në karriget e tyre në këtë këshill.

Berisha nuk ka asnjë arritje për integrimin, ndaj kërkon ta bllokojë dhe provë për këtë është rasti i Fierit. Vendimi i gjykatave është i formës së prerë. I bëjmë thirrje Berishë që të diskutojmë çështjen e Fierit në një tryezë bisedimesh, në mënyrë që të zgjidhet edhe çështja e integrimit. Kjo çështje është e zgjidhur nga pikëpamja ligjore. Drejtësia ka folur dhe është në anën tonë”, përfundoi deklaratën e tij deputeti i PS.
 
 

Top Channel