Ina Rama, Nishani konsultohet me partitë

20/11/2012 00:00

Mazhoranca dhe opozita siç pritej kanë qëndrime të kundërta përsa i
përket përfundimit të mandatit të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama,
qëndrime që janë bërë të ditura edhe gjatë takimeve konsultative me
presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Ndersa Astrit Patozi, kreu i grupit parlamentar demokrat u largua pa bere komente pas perfundimit te takimit, kjo edhe per shkak te pozicionit qe tashme dihet nga mazhoranca, homologu i tij Gramoz Ruçi ka theksuar se mandati i Ina Ramës përfundon në maj, çka do të thotë se procesi i iniciuar ndaj saj është antikushtetues.

Sipas zotit Ruçi qendrimi i PS-së mbështetet në konsultat me konstitucionalistë, ekspertë të fushës dhe duke ju referuar eksperiencave ndërkombetare në raste të përaferta.

“PS ka pikëpamjen se mandati i Prokurores së Përgjithshme nuk mbaron tani, por mbaron më 23 maj të vitit 2013, pikërisht në datën që është futur në fuqi ndryshimi kushtetues që bën ose kufizon mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm. Këto pikëpamje dhe këto argumenta ne ia parashtruam Presidentit. Sigurisht Presidenti kishte pikëpamjen e tij që mandati i Prokurores mbaron në datën 22 nëntor”, tha Ruçi.

Takimet kane vijuar edhe me Lefter Koken, kreun e grupit parlamentar te Levizjes Socialiste per Integrim, force e cila ka shprehur disa here qendrimin se respekton autoritetin kushtetues te Presidentit. Më pas Vangjel Dulen e PBDNJ, i cili në ndryshim nga PS ka shprehur një qëndrim plotësisht indiferent përsa i përket datës së përfundimit të mandatit të Ina Ramës.

“Në momentin që ky mandat përfundon përpara zgjedhjeve të ardhshme, për PBDNJ ka shumë pak rëndësi. Të gjithë e dimë se klima si para ashtu edhe gjatë zgjedhjeve është e polarizuar dhe konfliktuale. Kjo e bën më të vështirë konsensusin, por ne duhet të gjejmë një zgjidhje edhe në kushte ekstreme”, deklaroi Dule.

Takimet kanë vijuar me Fatmir Mediun e PR dhe Shpëtim Idrizin e PDIU-së, të cilët nuk kanë bërë komente. Nderkohe ne nje deklarate per shtyp FRD-ja e Bamir Topit, qe serish nuk ka qene e ftuar ne tryeze, ka bere te ditur qendrimin e saj lidhur me kete çeshtje. Sipas Frymes se Re Demokratike shkarkimi i Prokurores se Pergjithshme eshte i jashteligjshem, pasi mandati i saj, siç theksohet ne deklarate mbaron ne maj 2013. Per FRD-në mazhoranca aktuale po kerkon me kete aksion politik te nenshtroje edhe institucionin e fundit te pavarur ne vend.

Rama: Mandati i Ina Ramës përfundon në 23 maj 2013

Nga takimi me ekspertët për situatën energjetike në vend, kryesocialisti Edi Rama u ndal edhe tek çështja e mandatit të Kryeprokurorit të Përgjithshëm, për emrin e ri të të cilit Presidenti i Republikës nisi ditën e martë konsultat me partitë politike.

“Prokurorja e Përgjithshme, sot në detyrë nuk mund të zëvendësohet apo shkarkohet përpara datës 23 maj të vitit të ardhshëm.Këtë thotë Kushtetuta këtë kanë shprehur qartë edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kjo do të ishte rrënuese dhe ky është një hap tjetër rrënues për jetën institucionale të vendit dhe një thellim në rrugën rrënuese të kapjes të të gjithë institucioneve. Njësoj si me Fierin edhe me Prokuroren e Përgjithshme, Saliu flet në emër të ligjit, por në fakt përdor forcën abuzive të pushtetit për të marshuar përpara drejt kapjes totale të sistemit dhe të institicioneve të shtetit, duke e shkelur ligjin në çdo hap”, tha Rama.

Top Channel