Nga aktiveteti i prezantimit të stafit të ri politik të FRD-së, Bamir Topi akuzoi qeverisjen aktuale për sundim të korruptuar kleptokrat, që nuk e kupton, nuk e pranon dhe nuk e dëshiron demokracinë funksionale.

Ish-presidenti bëri një përshkrim të të gjitha hallkave të institucioneve sot dhe shtresave shoqërore, të tëra të kapura nga pushtetarët e sotëm të cilët ai i cilësoi si sundimtarë.

“Palë politike që vetëm akuzojnë dhe denigrojnë të tjerët duke refuzuar dialogun për reformat e integrimit, qytetarë që vuajnë për bukën e gojës ndërkohë që padronët e pushtetit thonë se kemi rritje ekonomike të krahasueshme edhe me Gjermaninë. Qytete dhe komuna të cilat prej kohësh janë në errësirë, kur politika na thotë se jemi fuqi energjitike rajonale, të sëmurë që humbin jetën për shkak të mungesë së ilaceve ndërsa politika vetë kurohet në spitale private”, tha Topi.

Bamir Topi tha se misioni i FRD-së synon t’i japë fund kësaj mënyre të të qeverisurit. Por ndërsa akuzoi qeverinë se nuk realizoi dot detyrat e shtëpisë, zoti Topi në anën tjetër nuk dha asnjë sinjal të qartë për koalicionet e mundshme në zgjedhjet e qershorit të vitit 2013.

“Qytetarët janë të lodhur nga politika konfliktuale dhe janë të zhgënjyer nga partitë e vjetra politike. Ata kërkojnë zgjidhje të reja, më shumë shpresë dhe besim për një shoqëri dhe shtet për qytetarët, më demokratik dhe më përfaqësues”, shtoi Topi.

Në stafin e ri të FRD-së, Gazmend Oketa do të jetë Sekretar i Përgjithshëm i partisë, ndërsa ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj do të jetë nënkryetar i saj.

Ekipi politik drejtues i FRD-së:

Gazmend Oketa, sekretar i përgjithshëm
Daut Gumeni, nënkryetar
Aleksandër Biberaj, nënkryetar
Valbona Duri, nënkryetare
Sali Shehu, sekretar organizativ
Afrim Krasniqi, sekretar politik
Arben Shehi, sekretar koordinimi për programin
Alketa Mati, sekretare për marrëdhëniet me jashtë
Edlira Gjoni, sekretare e marrëdhënieve publike
Belma Muka, sekretare për organizatat partnere
Andi Seferi, sekretar për burimet njerëzore

Top Channel