Greva e urisë dhe e djathta zyrtare

14/10/2012 00:00

Nga Skënder Minxhozi – Një grevë urie po mban lidhur vëmendjen e opinionit publik shqiptar prej më shumë se njëzet ditësh. Dhjetë të persekutuar po sfidojnë urinë, etjen dhe shishet me benzinë, për të bërë që kauza e tyre ekonomike të dëgjohet më në fund pas dy dekadash. Është folur shumë për ta, e me siguri që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, pasi Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko e blenë me trupin e tyre vëmendjen e munguar publike. Ndonëse ende jo edhe reagimin e shtetit dhe përkrahjen e hapur të shoqërisë.

Një aspekt që vlen të analizohet, në traumën, në greminën e madhe që po thellohet këto orë mes qeverisë së drejtuar nga Partia Demokratike dhe shtresës së të përndjekurve, janë shkaqet që sollën këtë mahisje, këtë mllef të mbledhur gradualisht, këtë çarje ideologjike gjithnjë e më të dallueshme. Me shumë gjasë, kjo që po ndodh këto orë i përshtatet natyrës, sjelljes dhe formatit të një qeverisjeje që nuk i shquan më ngjyrat dhe krahët. Sepse ky shtet nuk qeveriset më thjesht nga e djathta. Ai qeveriset nga e djathta zyrtare!

Koncepti i së djathtës zyrtare, qendra e saj e gravitetit, bazohet mbi një ide pushteti të centralizuar totalisht nën kontrollin e Sali Berishës, që shtrihet në një periudhë kohore prej dy dekadash. Është i djathtë ai që konsiderohet si i tillë nga shefi suprem. Pa këtë certifikatë “ndershmërie”, nuk bën pjesë në vathën ideologjike zyrtare, cilido qoftë formati dhe botëkuptimi yt. Çdo person që hyn në konflikt me kreun e grigjës, që e kritikon apo shpreh një mendim alternativ, shpallet politikisht “non grata”. Deklasimi dhe internimi i dikurshëm, meqë s’mund të ekzistojë më objektivisht si të tillë, janë transformuar në etiketimin “komunist” dhe largimin e çdo “frymori” që guxon të kundërshtojë Sali Berishën.

Kjo ka qenë një linjë sjelljeje, e cila ka bërë historinë e saj brenda radhëve të PD-së, qysh të nesërmen e krijimit të saj. Që në krye të herës, kjo parti trashëgoi në mënyrë instiktive mbeturinat e një kulture përjashtimi që e kishte pasur partia tjetër e madhe e pasluftës, që sapo kishte rënë: Partia e Punës. Komunizmi zyrtar i Enver Hoxhës ia la vendin djathtizmit zyrtar të Sali Berishës dhe ky proces u pranua kaq me përulësi e pa debate brenda PD-së, saqë u quajt një standard i aplikueshëm edhe për vitet që pasuan. Deri në ditët tona. Mjafton të pyesësh Arben Imamin, Neritan Cekën apo Preç Zogajn e Aleksandër Meksin (megjithëse dy të parët i ka zënë tashmë skleroza politike), për atë periudhë historike.

E djathta zyrtare është sot një realitet sa i konsoliduar, aq edhe konjuktural e i rrejshëm në Shqipëri. Ish-komunistë të thekur, ish-fanatikë me tesera të PPSH-së në xhep, kalemxhinj servilë e zyrtarë të një kohe tjetër të ricikluar me sukses pas vitit 1991, krijuan që të gjithë një simbiozë graduale me një pjesë të të persekutuarve të diktaturës apo me karrieristë të çdo ngjyre që kërkonin të çanin me çdo kusht në sistemin e ri – që të gjithë nën çadrën e të djathtës zyrtare të Berishës. E cila shpërfilli me arrogancë një pjesë të mirë të referencave, ideve fillestare dhe premtimeve të bujshme, duke u kthyer në formatin që e njohim sot: një qendër e mirëfilltë pushteti, ku pigmenti ideologjik ka gjithnjë e më pak peshë dhe ku interesat korente politike e ekonomike vijnë të parat. Imazhi tradicional i së djathtës, si një krah ideologjik që mbështetet mbi respektin për shtetin ligjor, rregullin dhe dinjitetin, është zëvendësuar sot nga një frymë populizmi që merr përpara çdo ligj e kanun.

Pasqyrë e drejtpërdrejtë e këtij spostimi ideologjik, e kësaj prirjeje për të kompensuar me çdo kusht humbjen e mbështetjes nga një pjesë e bazës antikomuniste, proces i cili u shpejtua vrullshëm sidomos pas vitit 2005, kanë qenë edhe aleancat e panatyrshme e hibride që PD ka bërë sa me LSI-në në qeverisjen qendrore, apo edhe pazaret e padeklaruara me komunistët në zgjedhjet e fundit në Tiranë. Berisha është sot në armiqësi apo në konflikt me shumë ish-pronarë apo të përndjekur, por ka futur në administratë, përmes marrëveshjeve me aleatët që ka në qeverinë aktuale, një numër jo të vogël fanatikësh të dikurshëm, të cilët kanë thënë për të publikisht gjëra mjaft të rënda. Shembujt janë në sytë e të gjithëve.

Partia Demokratike (kupto e djathta zyrtare) e sotme, përkrah ende ligjin 7501, për pasojë nuk u jep pronat ish-pronarëve edhe pas 22 vjetëve, premton e nuk u jep këstet të përndjekurve, bën sikur do të kthejë gjithçka përmbys për të zbuluar dosjet e pista të ish-Sigurimit, e më pas struket në një qoshe, tund gjithë ditën flamurin e nacionalizmit historik të së djathtës, e më pas i fal detin Greqisë, betohet për Kosovën e pavarur, pasi i ka vënë më shumë se një herë gurë nën rrota këtij projekti.

E djathta zyrtare është e shurdhët. Ashtu siç është rëndom pushteti. Grevistët e urisë e njohin këtë heshtje kërcënuese. E kanë njohur para të gjithë të tjerëve. Ata e dinë tashmë se kanë përballë një qeveri që nuk i llogarit më jo vetëm si mbështetës natyrorë të saj, por as si shtetas dinjitozë të këtij vendi. Me shumë gjasë ata po kuptojnë, me një çmim fatkeqësisht të lartë, se nuk kanë më përballë as idhujt e tyre të dhjetorit ’90, as ish-bashkëvuajtësit e burgjeve komuniste. Kanë përballë të djathtën zyrtare. Një mur gome që nuk ndien më prej shumë kohësh, ku të qenët në këtë apo atë krah nuk ka më asnjë rëndësi. Por ku vlen vetëm një gjë: qëndrimi në pushtet!

Gazeta “Shqip”

Top Channel