Gjyqi i 21 janarit, dëshmon Tom Doshi

12/10/2012 00:00

Proçesi gjyqësor në ngarkim të ish-komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, Agim Llupos dhe Margarit Kumes ka vijuar me marrjen e dëshmisë së deputetit socialist Tom Doshi.

Ai shpjegoi për gjykatën gjatë proçesit që u zhvillua pa praninë e kamerave se porta e Kryeministrisë u hap nga një efektiv policie dhe jo nga protestuesit dhe vetëm pas këtij veprimi ka hyrë një automjet.

Deputeti kujtoi çastet e ndërhyrjes me gaz lotësjellës, që sipas tij e kishin acaruar turmën e madje edhe policët vetë kishin dëmtuar njëri-tjetrin.

“Unë vrasjet i mora vesh nga një deputet tjetër që kisha në krah”, tha Tom Doshi, “ndërsa faktin që po qëllohej jo me plumba manovër, por ushtarakë e kuptova nga degët e pemëve që këputeshin” shtoi ai.

“Ky gjyq është një gjyq gjysmak derisa i pranishëm nuk është urdhëruesi i vrasjeve, Sali Berisha. Por ne po dëshmojmë edhe këtu si në gjithë proçeset e tjera. Shkaktari është Berisha, ai i vrau protestuesit”, deklaroi Doshi në përfundim të seancës.

Ndërkohë, kreu i PS për Tiranën, Pjerin Ndreu u fokusua në dëshminë e tij tek çastet e vrasjes së protestuesit Hekuran Deda.

“Në momentin që kam lëvizur pas gazetarëve, ka rënë Hekuran Deda. Duke parë gjendjen të rënduar, me plagë në kokë dhe gjakderdhje të madhe, u kam kërkuar atyre ta ngremë dhe ta çojmë në ambulancë”, tha Ndreu.

Në gjykatë ishte edhe vëllai i Hekuranit, Zabit Deda, i cili kujtoi se e kishin njoftuar së pari se familjari i tij ishte plagosur dhe më pas kishte marrë vesh lajmin tragjik. Ndërkohë, nga ana e saj prokuroria hoqi dorë edhe nga pesë dëshmitarë të tjerë.

Top Channel