Rrugëtimi i gjatë drejt BE-së

10/10/2012 19:45

Pas aplikimit të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian në prill të vitit 2009, në Opinionin e 2010-ës Komisioni u përgjigj me 12 kushte që vendi duhet t’i plotësonte për të merituar statusin kandidat dhe çeljen e negociatave për anëtarësim.

Sipas raport-progresit të një viti më parë, vendi nuk kishte plotësuar mjaftueshëm asnjë kusht të vetëm. Deri në tetor të vitit 2012, sipas raport-progresit të radhës, ende nuk janë përmbushur plotësisht të gjitha prioritetet.

Pas vrasjeve të 21 janarit dhe zgjedhjeve “jo të mira” të majit në Tiranë, si dhe pas refuzimit të dytë të statusit dhe të negociatave, Komisioni ndërroi qasje, me fokus kryesisht ndaj klasës politike shqiptare, nën presionin e së cilës lindi fillimisht marrëveshja politike e nëntorit të vitit 2011.

Ndërkohë, mungesa e theksuar e progresit në fushën e sundimit të ligjit bëri që, që në muajt e parë të vitit 2012 çështja e negociatave për anëtarësim të mos konsiderohej më si pritshmëri jo vetëm nga BE, por edhe nga vetë qeveria shqiptare.

Duke përzgjedhur nga 12 prioritetet e ndryshme, një pjesë minimale kriteresh të plotësueshme në afate të qarta kohore, Drejtoria e Zgjerimit pranë Komisionit Europian hartoi listën e famshme “të masës kritike të rezultateve”, e cila në vend njihet si “Plani i përbashkët i veprimit” qeveri-opozitë, kryesisht për votimin në Kuvend të disa ligjeve me 3/5.

Në fillim u emërua Avokati i Popullit, pastaj vijuan me zvarritje e vonesa disamujore miratimi i reformave zgjedhore dhe i heqjes së imuniteteve. Në fusha të tjera si ajo e pronave apo e të drejtave të njeriut u ngritën disa projekte apo disa strategji, për të shënuar njëfarë progresi.

Për shkak të mosplotësimit në kohë as të këtyre kritereve të pjesshme, rekomandimi për statusin u kushtëzua me reformat e mbetura të kësaj liste: ndryshimi i Rregullores së Kuvendit dhe votimi i ligjeve për Gjykatën e Lartë dhe Shërbimin Civil.

Por për shkak të ndjeshmërisë së vendeve anëtare, deri në muajin dhjetor Komisioni pret edhe rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për gjysmën tjetër të paplotësuar ende të 12 prioriteteve, e cila përfshin kryesisht fushën e sundimit të ligjit dhe zgjedhjet, ato mbeten kushte për t’u plotësuar nga vendi, për të merituar rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Përgatiti:
ARTA Tozaj

Top Channel