Disa dhjetëra hektarë me pyje në zonën e Lurës prej katër ditësh janë duke u djegur nga zjarret. Disa vatra zjarri janë aktivizuar në këtë zonë të ndihmuara edhe nga erërat e forta dhe moti i thatë.

Zona më e goditur nga flakët është në majën e Bakullinës, duke vijuar më pas në pjesën pas Bakullinës, në fushën e Titores, në drejtim të Qafë Lurës.

Forcat e ushtrisë janë aktivizuar për të shuar flakët që po dëmtojnë pyjet në zona të thella dhe të vështira për t’u arritur për shkak të mungesës së rrugëve.

E vetmja mundësi për të ndërhyrë duket se është nga ajri. Zjarret e forta kanë shkatërruar si pemët, ashtu edhe faunën e kësaj zone e populluar më së shumti nga kafshë dhe shpendë.

Zjarre të forta janë shfaqur edhe në Shkodër dhe Malësi të Madhe. Prej disa ditësh, disa vatra zjarri kanë përfshirë malin Kolaj në Velipojë dhe malin e Veleçikut në Razëm.

Zjarri në këto zona të thella malore është përhapur në një territor prej disa kilometrash, duke e bërë tepër të vështirë punën e policisë pyjore për të vënë flakët nën kontroll.

Si në malin Kolaj, ashtu dhe në malin e Veleçikut, zjarret janë vënë qëllimisht për hapje kullotash nga banorë të zonës.

Vatrat e zjarrit vazhdojnë të jenë aktive të ndihmuara nga temepraturat e larta dhe era. Dëmi i shkaktuar llogaritet në miliona lekë pasi janë dëmtuar kurora të tëra me brez ahu dhe pishe.

Top Channel